Ndonëse vendi ynë fqinj, Greqia është prekur nga Ethet e Nilit Perëndimor, ku deri më tani numërohen 34 raste dhe kanë humbur jetën 3 qytetarë ekspertë të Institutit të Shëndetit Publik deklarojnë se në Shqipëri, pavarësisht se janë kryer testime të rasteve të dyshuara asnjë prej tyre nuk ka rezultuar i prekur.
“Nuk ka vend për panik. Ne kemi kryer testime dhe nuk ka rezultuar asnjë rast. Një vit më parë kemi patur vetëm një rast. Kjo sëmundje përhapet nga mushkonja dhe ne jemi në monitorim të vazhdueshëm,” deklaroi Silva Bino, shefe e Departamentit të Sëmundjeve Infektive.
Ethet e Nilit janë vdekjeprurëse kur pacienti preket nga forma e rëndë e saj, e cila shkakton infeksion të trurit meningit apo encefalit, por pacienti mund të kalojë edhe një formë të lehtë të saj.
“Forma e lehtë ka temperaturë, dhimbje muskulare dhe disa puçrra të kuqe. Ndërsa forma e rëndë prek sistemin qëndror nervor,” shtoi Bino.
Nga Ethet e Nilit janë prekur përveç Greqisë edhe Italia, Rumania dhe Serbia. Departamenti i sëmundjeve infektive në Institutin e Shëndetit Publik është duke monitoruar situatën në vazhdimësi.
Top Channel