Në vetëm dy ditë, dy makina janë djegur plotësisht. Njëra në Delvinë dhe tjetra në Fier, e cila ka qenë në ecje e sipër. Në rastin e Delvinës, shoferi ka humbur kontrollin duke dalë nga rruga dhe për pasojë nga përplasja makina ka marrë flakë.

Ai nuk ka mundur dot të dal nga mjeti i tij, duke humbur kështu jetën nga flakët të cilat e dogjën makinën me shpejtësi.

Rreziku më i madh kur një makinë merr flakë, ndodh në rastet kur ajo gjendet në afërsi të makinave të tjera, ose në trafik. Këtë e shpjegon eksperti rrugor Gëzim Hoxha.

Eksperti Hoxha thekson se makinat duhet të jenë të pajisura me fikse zjarri të cilat do të zvogëlonin rrezikun që ndonjë prej personave në makinë të digjej.

“Duhet të kenë fikse zjarri. Mbase nuk e fik dot makinën, por e mban flakën nën kontroll derisa të kenë dalë të gjithë nga makina”, thotë ai.
Por cilat janë shkaqet që një makinë rrezikon të marr flakë në ecje? Novrus Goxhaj, mekanik pranë një servisi makinash, përmend disa shkaqe kryesore.

“Paketa elektronike, rrjedhja e gazit, sistemi i frenimit-kur makina ecën frenato dhe bllokimi i asaj që në gjuhën e përditshme njihet si marmita”, thotë ai.

Marrja flakë e makinës, lidhet kryesisht me gjendjen teknike të mjetit, por në rast të temperaturave të larta, të tilla siç po përjetohen këto ditë në Shqipëri, makinat e vjetra janë më të rrezikuarat.

Top Channel