Përveç rikonstruksionit të rrugës, në Ndroq po rikonstruktohet edhe shkolla në mënyrë që në shtator nxënësit të kenë një shkollë me kushte më të mira.

“Sot kemi një lajm të mirë për 270 nxënësit e shkollës 9-vjeçare, shkolla e vjetër e Ndroqit, në të cilën nuk është vënë dorë ndoshta që nga koha e gjyshërve të tyre. Jo vetëm po rikonstruktohet çatia, klasat ekzistuese, shkallët, sistemi i ngrohjes, nyjet hijeno-sanitare, banjot, dushet e reja, por edhe e kemi shtuar. Pra, shkolla shtohet me 1/3 e hapësirës së vet, që asnjë fëmijë, asnjë djalë ose vajzë e Ndroqit, të mos detyrohet të shkojë në Tiranë apo në shkolla të tjera”, thotë Erion Veliaj, kryebashkiak i Tiranës.

Për herë të parë në këtë shkollë do të ketë edhe parashkollor, por përveç institucionit arsimor ajo do të shërbejë edhe si qendër komunitare.

“Sigurohemi që edhe për ata që janë në kopësht, ka një ofertë shtetërore, publike, cilësore në komunitetin e tyre, pa u detyruar që të marrin një dado ose që të shkojnë në kopshtin apo çerdhen më të afërt. Dua t’i falenderoj ata që kanë kaluar verën në krye të detyrës. Janë djemtë dhe vajzat e shkollës që do ta shijojnë paradite shkollën, janë vëllezërit dhe motrat e tyre më të rritur apo familjarët e tyre që do e shijojnë pasdite. Është mënyra më e mirë për ta trajtuar shkollën si një hapësirë komunitare”, thotë Veliaj.

Kryetari i bashkisë siguroi se investimet do të vijojnë si në qendër dhe periferi me të njëjtin standard dhe cilësi.

Top Channel