Flamurtari ishte skuadra e fundit që u licensua për të qenë pjesë e Superligës edhe të këtij sezoni.
Në një intervistë për Top Channel, Sinan Idrizi, administratori i skuadrës vlonjate, tregon se si ia dolën për të përmbushur kriteret e nevojshme.
“Arritëm marrëveshje me Ministrinë e Financave pasi ata e dinë shumë mirë që jemi e vetmja skuadër që kemi 5 vite që jemi të deklaruar dhe paguajmë një kontratë jo 2-3 apo si të tjerët. U gjet një mirëkuptim me ata dhe federatën e futbollit dhe morëm licensimin,” tha Idrizi.
Por si do të jetë Flamurtari i vitit të ri futbollistik?
“Mos prisni nga mua të ndërtoj skuadër, unë jam këtu për të ndërtuar një klub. Do të kemi një buxhet me 60% më pak se në vitet e shkuara dhe do të shohim çfarë do të ndodhë.” deklaroi ai.
Shpesh herë Idrizi ka përmendur edhe largimin nga drejtimi i Flamurtarit, por mesa duket ligji i ri për investimin në sport i ka kthyer mëndjen për të vazhduar ende financimin tek skuadra vlonjate.
“Ky është një lajm i keq për të gjithë ata që do mblidhnin 5000 leksha për të mbajtur Flamurtarin. Unë do të largohesha nëse s’do të kishte një ligj për financimin në sport. Kemi projekt për të bërë të gjithë qytetin aksioner të klubit, mua më interesojnë ngjyrat e Flamurtarit që është krenaria jonë, ndërkohë që ne nuk kemi qenë jemi dhe nuk do të jemi në të ardhmen,” u shpreh administrator i klubit Flamurtari.
Top Channel