Në dhjetë-ditëshin e parë të muajit gusht, qyteti i Vlorës është i mbushur me pushues, vendas dhe të huaj. Edhe pse numri i të huajve që po vizitojnë Vlorën për qëllime turizmi është rritur shumë këtë vit, hotelet dhe restorantet kanë mbajtur çmime të njëjta si në 2018-en. Në një vëzhgim që bëmë përgjatë bregdetit të Vlorës, duke i pyetur për çmimet, si në hoteleri apo dhe në ushqim, pushuesit shprehen se çmimet janë të përballueshme.

“Kjo është hera e dytë që vimë në qytetin e Vlorës për pushime. Këtu çdo gjë ka ndryshar shumë, dhe jemi të kënaqur si nga cmimet ashtu dhe nga hoteli. Cmimet janë të përballueshme për këdo, madje në qytetin e Vlorës çmimet janë më të lira se Shëngjini ku qëndruam 10. Një drekë që konsumuam me prodhime deti për 9 persona cmimi ka shkuar 130 euro, ndërkohë që çmimet e hoteleve janë 25 euro personi, pra shumë të arsyeshme për çdo pushues”, thotë një pushuese nga Kosova.

“Këtë vit kemi zgjedhur Vlorën, dhe pushimet zakonisht i kaloj në Shqipëri dhe Vlora është shumë më mirë se ka qenë. Çmimet janë të arsyeshme. Edhe hotelet kushtet i kanë të përmirësuara dhe për një dhomë me katër shtretër pagesa është 50 euro me mëngjesin dhe darkën të përfshirë”, thotë një tjetër.

Edhe turistet e huaj qe ndodhën në Vlorë në këto ditë vere shprehen të kënaqur.

“Çmimet e restoranteve janë si në Ukraine, por cilësia dhe shija e ushqimit këtu në Vlorë është shumë herë më e mirë, dhe për një tavolinë prej katër personash kemi paguar 40 euro, ndërsa e gjithë dita, si për ushqim, argëtim dhe fjetje shkon 100 euro”, thotë një turist nga Ukraina.

“Kemi dy ditë që po qëndrojmë në Vlorë në një bujtinë dhe për një çift pagesa kushton 20 euro. Ndërsa ushqimi është shumë i lirë, një picë kushton 5 euro. Këtu në Shqipëri është shumë më lirë se në Gjermani, por ka dhe vende të tjera po në Shqipëri që janë më të lira se në Vlorë”, shprehet një turiste gjermane.

“Ndodhem për herë të parë në Shqipëri, ma sugjeruan për të kaluar pushimet, dhe këtu është shumë bukur, që nga hotelet luksoze deri tek çmimet që janë shumë të mira, dhe për të kaluar pushimet këtu me familjen. Një dhome hoteli me katër yje kushton 70 euro. Darka që konsumuam në Lungomare, me prodhime deti dhe pizza kushtoi tetë mijë lekë dhe ushqimi është shumë i mirë, njësoj si në Itali”, thotë një turist italian.

Top Channel