Kryeministri Edi Rama vazhdon të postojë në rrjetet sociale qëndrimet e aktorëve që janë pro shembjes së Teatrit.

Kësaj radhe ai ka postuar qëndrimin e aktorit Helidon Fino, për të cilin thotë se ai i njeh mirë problemet e atij Teatri.

Kryeministri Rama ne facebook:

Edhe pse ende i ri, pavarësisht nga mjekrra e gjatë, prej më shumë se njëzetë vjetësh në skenën e Teatrit Kombëtar, aktori Helidon Fino sot është një emër i vlerësuar nga publiku. Si aktor i rritur në oborrin e teatrit, Helidoni, i njeh mirë probleme shqetësuese të atij teatri dhe ka një ëndërr në sirtar, si edhe një thirrje lidhur me Teatrin e ri Kombëtar.

HELIDON FINO:

Në shtator bëj 24 vjet në teatër që do të thotë 24 orë punë për 24 vjet. Godina ka ardhur në një moment amortizimi total. Teatri kombëtar duhet të ndërtohet i ri, në territorin e vet që i takon, në sipërfaqen që i takon, me të gjithë parametrat bashkëkohorë që i takojnë dhe është përgjegjësi e qeverisë që ta kryejë këtë sa më shpejt dhe jo më vonë. Jo vetëm për faktin që kanë kaluar mjaft vite, 18-20 vjet në këtë diskutim, por mos të kalojnë dhe 18-20 vite të tjera sepse në këto diskutime dhe mendësi të vjetra më duket sikur edhe brezat do ti vjetërojnë para kohe. Është e nevojshme absolutisht dhe është një moment vullneti politik por besoj edhe kombëtar, dhe i komunitetit, që teatri të ndërtohet sa më shpejt.

Top Channel