Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha se pret një “vjeshtë të vështirë” për sa i përket çështjes së Kosovës, sepse ai mendon se “Perëndimi do të përpiqet të shpejtojë zgjidhjen e problemit”.

Vuçiç, megjithatë përsëriti, se zgjidhja nuk do të jetë e mundur nëse Serbia nuk merr asgjë.

“Unë nuk e di se cila është ideja. Ajo që unë kisha si ide u refuzua nga të gjithë. Askush nuk e pëlqeu. Le të shohim se cila është ideja juaj, sepse ende nuk e kam dëgjuar, përveçse pashë më shumë presion mbi mua. Serbia nuk mund të pajtohet me pavarësinë ( e Kosovës) nëse Serbia nuk merr asgjë”, tha Vuçiç në një intervistë për mediat serbe.

Ai tha se ua ka bërë të qartë të gjithë bashkëbiseduesve në bashkësinë ndërkombëtare, se nuk do të ketë zgjidhje nëse dikush mendon se Serbia duhet të poshtërohet.

Duke folur për faktin se si të pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, kanë ndryshuar ambasadorët e tyre në Beograd, dhe nëse kjo ka ndonjë lidhje me çështjen e Kosovës, Vuçiç tha se ata “me siguri nuk kanë ardhur për të kontrolluar ndryshimin e klimës në Serbi”.

Top Channel