Në vazhdën e betejës përmes dekreteve me mazhorancën, Ilir Meta ktheu një tjetër ligj, atë për miratimin e kontratës koncesionare me PPP të rrugës Milot-Balldre. Presidenti i Republikës jep 8 argumente sepse sipas tij koncesioni duhet te rishqyrtohet nga Parlamenti.

Sipas kryetarit të shtetit, koncesioni i cili kap shifrën e 256 milion eurove, duke përfshirë tatimin mbi vlerën e shtuar “riskon seriozisht buxhetin dhe financa  e shtetit, pasi nuk ka sipas tij,  një përllogaritje të saktë të efekteve të saj në ekonominë e vendit”.

Një tjetër argument refuzimi nga Presidenti është se kontrata e lidhur mes autoritetit kontraktor dhe operatorit ekonomik është formalizuar përgjatë një procesi aspak transparent ndaj publikut dhe pa një bazë ligjore për negocimin e çmimit të saj, duke rrezikuar sipas tij interesin e qytetareve shqiptar.

Presidenti Ilir Meta beson se “qëllimi i miratimit me ligj i kësaj kontrate është vetëm mbulimi i paligjshmërisë së bërë nga autoriteti kontraktor dhe qeveria shqiptare, me qëllim mosevidentimin e përgjegjësisë në këtë proces dhe mbulimin e çdo paligjshmërie nëpërmjet ligjit”, andaj i kërkon Kuvendit ta rishohë vendimin e tij.

Një ditë më parë  Presidenti Meta refuzoi të dekretoje ligjin per koncesionet dhe PPP duke e kthyer atë për diskutim në Kuvend.

Top Channel