Vjelja e mjaltit është një nga proceset më të rëndësishëm tek bleta. Në këtë proces kurorëzohet puna e një vitit që kanë bërë bletët dhe bletarët. Marrja e mjaltit nga hojet për bletërritësit konsiderohet si një ditë feste.

Bletërritësi Engjëll Spoho shpjegon të gjithë procesin e vjeljes së mjaltit. “Tani jemi gati për vjelje. Do të marrim kornizat që janë të mbushura dhe kanë mjaltë të pjekur. Por para kësaj çdo koshere duhet ta spërkasim me tym me qellim që bletët të mos irritohen . E marrim kosheren dhe e shkundim nga bletët më pas e fshijmë dhe çojmë në dhomën e përgatitjes.

Gazetarja e Top Channel, Rudina Muça, e pyet për hapat e mëtejshme.
“Tani do të bëjmë pastrimin e hojeve me thikë e më pas do të shkojnë tek centrifuga, nga ku del dhe mjalti”, shpjegon bletërritësi.
Një kilogram mjaltë natyral të blerë tek bletërritësit kushton nga 1.200 deri në 1.400 lek ndërsa në supermarket një kavanoz me 320 gram mjaltë kushton vetëm 90 lek, ndërsa kilogrami afërsisht kap çmimin e 400 lekëve të reja. Kjo diferencë çmimi ngre shumë pikëpyetje për cilësinë e mjaltit.
Gazetarja e pyet zotin Spoho se si mund të provohet cilësia e mjaltit.

“Si fillim marrim një gotë ujë dhe brenda saj hedhim mjaltë. Nëse ai shkon në fund të gotës pa u shkëputur, atëherë kemi mjaltë natyral. Në të kundërt jo”, rrëfen bletërritësi.
Gazetarja e pyet zotin Spoho se pse se mjalti i blerë në supermarket nuk është shpërbë në gotën e ujit. Ai i shprehet se kjo tregon se është mjaltë industrial, pra nuk është prodhuar nga bleta.

Bletërritësi bën një tjetër provë, për të treguar nëse mjalti është apo jo cilësor:-“Do të marrim një fije shkrepëse, pasi e lyejmë atë më mjaltë do ta ndezim. Nëse ndizet kjo do të thotë që mjalti është i mirë, në të kundërt jo”.
Bletërritësi tregon edhe një tjetër sekret, për cilësinë e mjaltit.

“Mjaltin do ta provojmë ta djegim mbi pllakën e stufës, nëse ka hi dhe digjet shpejt kemi të bëjmë me mjaltë cilësor”.
Nga prova del se mjalti i supermaketit kërkoi kohë për tu djegur përse dhe kjo tregon se ai është i keq.
Një blete për të realizuar një kilogram mjaltë i duhet një vit punë në lëndina, ndërsa mjalti industrial prodhohet brenda pak kohësh, por kërkon investim në teknologji. Kjo gjë humb cilësinë dhe sjell mashtrim për konsumatorin vendas duke na e prezantuar atë si mjaltë cilësor.

Top Channel