Policia e Shtetit vijon operacionin “Plazh i lirë”, ku ka liruar dhe vënë në dispozicion të pushuesve rreth 4500 m2 plazh, pronë publike, të zaptuar në mënyrë të kundërligjshme nga 6 subjekte. Sipas të dhënave zyrtare, nga këto 3500 m2  janë liruar në Shëngjin dhe 1000m2 në Velipojë.  

 

Mësohet se është proceduar për  “Shpërdorim detyre” shtetasi A. N., me funksion Drejtor në Drejtorinë e Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Lezhë, për katër rastet e fundit të konstatuara në Shëngjin.

Gjithashtu janë proceduan penalisht 4 persona për  veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, konkretisht: M. Gj., L. P., F. N. dhe GJ. GJ., pasi këta shtetas kishin zaptuar hapësirën publike (rërë) në Shëngjin, duke  vendosur rreth 350 shezlongë dhe 150 çadra pa kontratë përdorimi (qira) me Bashkinë Lezhë.

Në Velipojë, Policia e Shkodrës e mbështetur nga FNSH, ka liruar një hapësirë publike rreth 1000 m2 të zaptuar në mënyrë të kundërligjshme nga dy shtetas, pronarë të subjekteve që ushtronin veprimtari në zonën e plazhit në fshatin Pulaj – Plazh.

Gjatë operacionit, u sekuestruan rreth 100 çadra dhe 100 shezlongë, që shtetasit XH. B. e E. S., kishin vendosur në mënyrë të kundërligjshme para lokaleve në administrim, duke zënë hapësirën publike dhe duke mos paguar taksat për to. Edhe këta shtetas janë proceduar për të njëjtën arsye të lartpërmendur.

Operacioni vijon në të gjithë zonën bregdetare, për të kthyer në dispozicion të qytetarëve çdo hapësirë publike të zënë në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim përfitimin.

Top Channel