John Bolton, këshilltari i presidentit amerikan, Donald Trump mund të vizitojë Prishtinën dhe Beogradin në fund të gushtit, ose në fillim të shtatorit.
Sipas mediave serbe, SHBA do të nisë një ofensivë për sa i takon zgjidhjes së problemit të Kosovës, me fjalë të tjera, rifillimin e dialogut.
Por sipas tyre kjo vizitë e nivelit të lartë varet nga fakti nëse Prishtina do të heqë apo jo taksën 100 për qind mbi mallrat serbe. Blic, duke cituar burime diplomatike nënvizon se Bolton do të vizitojë Kosovën nëse do të marrë një garanci se taksa do të hiqet.
Ndryshe, vizita e tij nuk do të realizohet pasi ai nuk do të donte që ajo të rezultonte një vizitë e pasuksesshme. E duke qenë se ajo që do të ndodhë me taksën për momentin nuk dihet, edhe vizita nuk është e konfirmuar – ka thënë burimi diplomatik për të përditshmen serbe.
Po ashtu theksohet se për këtë shkak, autoritetet e Prishtinës do të vendosen nën presion të madh për të mundësuar vizitën. Blic gjithashtu shkruan se “Bolton, në deklaratën e tij se Amerika nuk përjashton korrigjimet territoriale, e vendosi historinë e demarkacionit një vit më parë si një zgjidhje të mundshme për nyjën e Kosovës, por gjithashtu shënoi praktikisht ndryshimin e politikës së Washingtonit drejt ndryshimit të kufijve në Ballkan”.
“Kjo është arsyeja pse kësaj vizite i jepet një rëndësi e madhe, dhe nëse ndodh, do të nënkuptojë në njëfarë mënyre që ka shkuar një hap më tej në drejtim të zgjidhjes së çështjes së Kosovës”.
Top Channel