Sapo Gjykata e Apelit u dha të drejtë, këtë të hënë pronarët e guroreve të mbyllura ne malin e Tomorrit tentuan të shkojnë e të rinisin punë, por rrugën ua ka bllokuar policia.

Në zonën e qafës së Novajt në Skrapar, kamionët nuk mundën të ecin më tej. Në mbështetje të policisë së Beratit ishin edhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë. Pronarët e guroreve u ankuan se po pengohen pa të drejtë:

“Ata donin që vendimi i gjykatës të kishte shkuar në zyrën e tyre. Ne e kemi nisur (vendimin) në mënyrë zyrtare, që mund të ketë mbërritur edhe sot. Kërkuan edhe disa dokumenta të tjera, që nuk i përkasin policisë t’i bëjë megjithatë ne do presim se si do reagojnë ata.” u shpreh Gramoz Veliaj, pronar.

Nga ana tjetër policia shpjegoi se përse po bllokon nisjen e gërmimeve për gurë në malin e Tomorrit.

“Drejtoria vendore e policisë së Beratit është duke ushtruar detyrën e saj, duke bërë pengimin e subjekteve të ushtrimit të aktivitetit të gurit në malin e Tomorrit. Në lidhje me vendimin e gjykatës , drejtoria vendore e policisë Berat nuk është njohur zyrtarisht me këtë vendim. Në momentin që ne do njihemi zyrtarisht me vendimin, konform ligjit, atëherë do të veprohet.” deklaroi Bernard Agalliu, jurist.

Prej 22 muajsh asnjë nga guroret në malin e Tomorrit nuk ka punuar dhe qeveria me anë të një vendimi e shpalli malin park të mbrojtur kombëtar. Kjo nënkupton se zona nuk duhet të dëmtohet apo preket. Pas këtij vendimi në mal u kthyhen kafshët e egra, por pronarët e guroreve i kërkuan gjykatës së apelit administrativ shfuqizimin e vendimit të qeverisë.

Një grup gjyqtarësh të apelit administrativ vendosi ta shfuqizojë këtë vendim me argumentin se qeveria nuk ishte konsultuar me komunitetin. Në këtë rast komuniteti janë pronaret e guroreve. Ndërkohë më herët në Berat ka nisur edhe mbledhja e firmave për një peticion kundër vendimit të gjykatës.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel