Shtetet e Bashkuara dhe Talebani filluan sot një raund të tetë bisedimesh për paqen në Doha të Katarit.
Zyrtarët thonë se ky raund bisedimesh është “më i rëndësishmi” në negociatat dypalëshe që synojnë të sjellin paqe pas konfliktit që e ka mbërthyer Afganistanin prej 18 vjetësh.
Në fillim të javës, Suhail Shaheen, zëdhënës i ekipit negociator të Talebanit tha për Zërin e Amerikës se të dyja palët kanë punuar prej disa muajsh dhe janë në përfundim të një dokumenti të përbashkët ku “adresohen të gjitha çështjet madhore”.
Dokumenti përfshin një afat kohor “të pranuar nga të dyja palët” për tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani. Në shkëmbim, Talebani ofron garanci se “territori i Afganistanit, veçanërisht terreni nën kontrollin e kësaj organizate” nuk do të kthehet në platformë për rrjete ndërkombëtare terroriste”, siç theksoi zoti Shaheen.
Presidenti Donald Trump ka shprehur synimin për t’i dhënë fund angazhimit më të gjatë ushtarak të Shteteve të Bashkuara në tokë të huaj. Konflikti i ka kushtuar Amerikës afro 1 trilion dollarë dhe mbi 2400 amerikanë të vrarë nga radhët e personelit ushtarak.
Pasi të arrihet marrëveshja me Shtetet e Bashkuara, Talebani duhet të hyjë menjëherë në negociata me autoritetet afgane. /VOA
Top Channel