Gjykata Speciale në Hagë, thërret për të marrë në pyetje deputeten e Kosovës

02/08/2019 16:19
Time Kadrijaj (majtas) me Ramush Haradinaj (në mes) dhe një tjetër anëtare e UÇK-së gjatë kohës së luftës. Foto kortezi e Time Kadrijaj.

Time Kadrijaj, një deputete nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, tha të enjten se ajo është ftuar për t’u marrë në pyetje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, e cila po heton krimet e kohës së luftës dhe pas luftës në Kosovë.

“Nuk jam aspak e trishtuar për pasojat ligjore, sepse lufta jonë ka qenë e pastër si lot dhe kjo do të dëshmohet prapë, por jam e shqetësuar për ftesat e njëpasnjëshme të kësaj gjykate, të cilat për bazë kanë vetëm pretendimet politike të Serbisë dhe ta merr mendja që po kanë pasoja politike për Kosovën, e cila më në fund ka filluar të flasë me zërin e vet,” shkroi Kadrijaj në Facebook.

Ajo tha se do të merret në pyetje në shtator nga prokurorët e Hagës.

Kadrijaj shërbeu si mjeke në spitalet ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën e Dukagjinit gjatë luftës, raportoi të enjten gazeta Koha Ditore, shkruan balkaninsight.

Që nga viti i kaluar, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka marrë në pyetje më shumë se 35 ish-luftëtarë të UÇK-së, duke përfshirë disa që tani janë politikanë të profilit të lartë.

Muajin e kaluar, Ramush Haradinaj dha dorëheqjen si kryeministër i Kosovës pasi u kërkua të merrej në pyetje si i dyshuar.

Haradinaj është kreu i partisë AAK, së cilës i përket Kadrijaj, dhe ishte një komandant i UÇK-së në zonën e Dukagjini gjatë luftës.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka për detyrë të hetojë krimet përfshirë vrasje, rrëmbime, ndalime të paligjshme dhe dhunë seksuale që dyshohet se janë kryer nga anëtarët e UÇK-së nga fillimi i vitit 1998 deri në fund të 1999.

Dhomat e Specializuara të Kosovës me bazë në Hagë priten të gjykojnë ata që paditen nga prokurorët. Megjithatë, ende nuk është bërë publike asnjë aktakuzë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA