Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke e cilësuar 30 Qershorin si një farsë antikushtetuese shprehu vendosmërinë e opozitës për të larguar nga pushteti pakicën që sipas tij prodhoi 30 Qershori.

“30 Qershori ishte një farsë antikushtetuese që u zhvillua në dhunim flagrant të dekretit të Presidentit, kur me Kushtetutë, i vetmi që cakton datën e zgjedhjeve është Presidenti. Po me Kushtetutë, i vetmi institucion që mund të gjykojë mbi dekretet e Presidentit, është Gjykata Kushtetuese e cila nuk ekziston, sepse e shkatërroi me zell dhe me mburrje Edi Rama për t’i marrë ai pushtetet e Gjykatës Kushtetuese.”- tha Basha në një takim në Rrogozhinë me strukturat e Partisë Demokratike.

“30 qershori është i paligjshëm dhe kriminal që në themel, sepse modeli shqiptar i kontrollit të zgjedhjeve, balanca politike, u shkatërrua, opozitës iu ndalua të merrte pjesë në KZAZ dhe Komisione e qendra votimi. I paligjshëm dhe kriminal sepse në gjysmën e rasteve u kthyem në votimet e diktaturës me një kandidat. Aty ku nuk kishte një kandidat, kandidati tjetër ishte i paligjshëm, siç ishte e paligjshme paterica që krijoi Edi Rama një ditë para ditës së zgjedhjeve, me mercenarë të shitur të Edi Ramës.”- u shpreh zoti Basha.

Basha theksoi se për të mbuluar sipas tij braktisjen nga shqiptarët, Rama përsëriti skemën e dosjes 339 dhe 184, duke “detyruar përdhunshëm vajtjen në votime të dhjetëra – mijëra votuesve, që lanë gjurmët e tyre dhe i bënë fletët e votimit të pavlefshme.

“Pavlefshmëria e 30 qershorit ka marrë vulën që nuk e ka asnjë proces politik në 30 vite pluralizëm. 85% e shqiptarëve refuzuan farsën e 30 qershorit, refuzuan regjimin dhe u bënë pjesë e shumicës “Rama ik”. 30 qershori është nul. Uzurpimi i dhunshëm i pushtetit vendor është kriminal. Shumë shpejt do ta shporrim këtë pakicë kriminale nga Rrogozhina nga Kavaja, Durrësi, Elbasani dhe nga gjithë Shqipëria.”- u shpreh kreu i opozitës Lulzim Basha.

Top Channel