Teatri politik nuk mungoi as këtë fillim gushti. I pari në skenë u shfaq Presidenti, i cili postoi një video të vitit 2000, kohë kur Edi Rama ishte ministër kulture dhe Ilir Meta kryeministër , për të treguar koherencën e tij për mbrojtjen e teatrit.

Në mungesë të një replike direkte, Edi Rama i serviri publikut virtual qëndrimin e aktorit Artan Imami për nevojën e emergjente sipas tij, të një teatri të ri.

“Shpreh dakordësinë dhe nevojën emergjente për një godinë të re të Teatrit Kombëtar. Një godinë e cila t’u shërbejë artistëve dhe mbi të gjitha publikut, i cili edhe pse në kushte tërësisht të papërshtatshme, për asnjë moment nuk e ka braktisur skenën e teatrit. Teatri Kombëtar duhet të shfrytëzohet vetëm dhe vetëm për godinën e re të Teatrit Kombëtar, duke mos cenuar tjetërsimin e asnjë pjese të kësaj prone. Mua nuk më zë gjumi nga qejfi se do të bëhet një teatër i ri modern, në vend të këtyre pamjeve të tmerrshme që shohim me gjendjen aktuale. Më vjen ndër mend një takim i vitit ‘87 apo ‘88 me Ismail Kadarenë dhe ndërkohë që po bisedonim, dikush e pyeti se si duket niveli i teatrit. Ai ia kishte ngulur sytë në një qoshe të tavanit, ku po binte suvaja dhe thotë: Po ja, ashtu si kjo godinë”, ishte qëndrimi i Imamit.

Një rol jo skenik, por politik nuk mungoi as për Lulzim Bashën për të cilin teatri është loja pas së cilës sipas tij fshihet vjedhja e 200 milion eurove. Skemën e vjedhjes kryedemokrati e ilustroi përmes një video.

“Puna e Teatrit ishte loooja! Nuk e zë gjumi hajdutin psiqik për 6 kullat 200 milionë euro! Mjerë të keqpërdorurit e radhës që flasin për gishtin kur gishti tregon hënën! Nuk ka interes për Teatrin Pa Kulla treshja Rama-Veliaj-Mafia e Ndërtimit dhe Drogës”, tha ai.

Top Channel