Presidenti Ilir Meta këtë mëngjes me anë të një statusi në facebook, ka lajmëruar se i ka dërguar një letër Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar për të konfirmuar mbështetjen e tij në aplikimin e tyre drejtuar organizatës “Europa Nostra” për mbrojtjen e kompleksit të Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental.

Por Meta, nuk e ka lënë me kaq, krahas kësaj ai ka postuar edhe një video të kryeministrit Edi Rama në kohën kur ky i fundit mbante postin e ministrit të Kulturës duke vënë në dukje ndryshimin e qëndrimit të kreut të qeverisë mbi çështjen e Teatrit Kombëtar.

Statusi i Metës

Të dashur miq!

Po ju njoh me faktin se dje i kam dërguar një letër Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, për të konfirmuar mbështetjen time në aplikimin e saj drejtuar organizatës prestigjoze “Europa Nostra” për mbrojtjen e kompleksit të Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental.

Po kështu të gjitha qëndrimet e mia në mbrojtje të trashëgimisë historike e kulturore të Tiranës, kanë qenë dhe janë në koherencë të plotë për këtë çështje prej 20 vitesh.

Dëgjoni ju lutem kryeministrin aktual, z.Rama se si e konfirmonte këtë fakt në vitin 2000, kur shërbente me devocion të jashtëzakonshëm si ministër Kulture, në qeverinë që unë drejtoja.

Top Channel