Pas turizmit, sektori i radhës në sitën e administratës fiskale do të jetë tregtia e karburanteve.
Drejtoresha e përgjithshme e Tatimeve Delina Ibrahimaj deklaroi se të gjitha pikat e tregtimit të karburanteve do të përballen me vizita të thelluara fiskale nga ana e inspektorëve tatimorë.
“Me urdhër të ministres së Financave drejtoria e Tatimeve dhe metrologjia do të kalojnë në kontroll të gjitha kompanitë e karburanteve, të përcaktuara si një nga sektorët me riskun më të lartë për fshehje taksash dhe shkelje të ligjit”, tha ajo.
Vendosja e kompanive të naftës në shenjestrën e administratës tatimore ka ardhur pas një investigimi të kryer nga hetimi tatimor gjatë muajve të fundit.
Emrat e kompanive të dërguara për ndjekje penale mbahen sekret për shkak të hetimit nga prokuroria. Por drejtoresha e tatimeve tha se kontrollet nuk do të kursejnë asnjë pikë tregtimi.
Veç kompanive të karburante , një tjetër sektor që do të jetë në sitën e tatimeve gjatë muajit të ardhshëm është e dhe ndërtimi. Ndërkohë për korrikun, administrata tatimore ka kontrolluar rreth 1930 subjekte duke konstatuar mbi 800 shkelje të ligjit.
Top Channel