Italia rezolutë për negociatat, Ruçi letër homologut: Të bindur në vendosmërinë tuaj në mbledhjen e 18 tetorit

01/08/2019 17:58

Kryeparlamentar Gramoz Ruçi i ka dërguar nje letër falenderimi homologut italian Roberto Fico për rezolutën e miratuar ku kërkohet mbështetje të proceseve integruese të Shqipërisë dhe çeljes sa më shpejt të negociatave. Rezoluta është miratuar më 19 korrik nga Komisioni i Punëve të Jashtme dhe Komunitare të Dhomës së Deputetëve të Parlamentit italian.

“Dëshiroj t’Ju falenderoj për Rezolutën “Mbi integrimin e Ballkanit Perëndimor në institucionet euroatlantike”, miratuar njëzëri nga Komisioni i Punëve të Jashtme dhe Komunitare të Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Republikës Italiane në datën 19 korrik. Në Rezolutë vlerësohen reformat e ndërmarra nga Shqipëria në kuadrin e përgatitjeve për çeljen e negociatave dhe i rekomandohet qeverisë italiane të mbështesë në mënyrë aktive dhe të fuqizojë rolin e vet si një partner i vëmendshëm në mbrojtje të integrimit euroatlantik të vendeve të rajonit si edhe të paqes e stabilitetit të Europës dhe Mesdheut”, shprehet Ruçi.

Ruçi shprehet i bindur në vendosmërinë që do të tregojë Roma në mbledhjen e Këshillit Evropian, më 18 tetor, kur do të vendoset për negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Shpreh mirënjohjen time dhe të Kuvendit të Shqipërisë për kontributin që Italia, fqinji dhe partneri ynë i fuqishëm, ka dhënë dhe po jep për integrimin euroatlantik të Shqipërisë dhe të shpreh bindjen në qëndrimin e vendosur të qeverisë italiane në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Europian për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Gjithashtu, përfitoj nga ky rast për të përsëritur ftesën time për një vizitë zyrtare të Shkëlqesisë Suaj në Shqipëri, në një kohë sa më të afërt dhe në përputhje me agjendën Tuaj”, shkruhet në letër.

Top Channel