Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u takua me kryetaren e Komisionit Qendror të zgjedhjeve, Valdete Daka, me të cilën bisedoi për gatishmërinë e këtij institucioni për të organizuar zgjedhje të parakohshme, nëse ky do të jetë skenari përfundimtar.
Sipas një deklarate, Thaçi ka theksuar se në përputhje me obligimet e tij kushtetuese, do të ezaurojë të gjitha mundësitë që në konsultime me partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës të gjendet një përgjigje për realitetin e ri politik.
“Nëse partitë politike nuk janë në gjendje t’i japin përgjigje këtij realiteti në një afat të arsyeshëm kohor, jam i gatshëm të shpall menjëherë zgjedhjet e reja”, ka thënë Thaçi.
Ndërkohë, vetë kryetarja e KQZ, tha se nuk është biseduar për ndonjë datë të caktuar.
“Jo jo sepse nuk mundet me u diskutua për data pa i shtjerr të gjitha mundësitë kushtetuese. Për zgjedhjet e jashtëzakonshme ne kemi opsione tona”, shprehet Daka.
Kryetarja e KQZ-së ka deklaruar po ashtu se nëse shpallen zgjedhjet, institucioni që ajo drejton do të kërkojë mjetet e nevojshme nga Qeveria.
“Nëse shpallen natyrisht KQZ-ja kërkon mjetet e nevojshme nga Qeveria dhe vendoset për buxhet, sepse ky nuk ka qenë vit zgjedhor, prandaj edhe nuk e kemi pasur buxhetin e nevojshëm, ndërkaq gjithmonë nëse shpallen zgjedhjet, atëherë KQZ-ja do të veproj sikurse herëve të tjera”,shton mw tej kryetarja e Komisionit.
Thaçi u takua një ditë më parë me deputetët e 6+ që përfaqësojnë edhe komunitetet jo shumicë në Kosovë, ndërsa nuk ka ftuar ende përfaqësuesit e partive të mëdha në vend.
Për Thaçin, është thelbësore që Kosova të ketë qeveri të re, funksionale, efikase, sa më gjithëpërfshirëse dhe sa më shpejtë, për t’i çuar përpara proceset e rëndësishme.
Top Channel