Duke rikujtuar një takim me kryeparlamentarin e Gjermanisë, Wolfgang Schäuble, Presidenti i Republikës, Ilir Meta kërkon një marrëveshje politike për zgjidhjen e krizës dhe atë e kërkon brenda muajit gusht sepse në të kundërt Shqipëria mund të kalojë në kundërkohë.
“Populli ynë nuk e meriton të mbetet i fundit në rajon, për shkak të liderëve të tij të llastuar! Kemi dhe fare pak kohë për të mos kaluar në KundërKohë! Nuk na mjaftoi që ishim në KundërKohë me gjithë qytetërimin Perëndimor për 45 vite?”,- pyet presidenti.
Sipas Metës, duhet lidership dhe lidershipi jep zgjidhje në interes të të gjithë vendit.
“Duhet hequr dorë urgjentisht nga kokëfortësia për të ecur në dy rrugë përjashtuese, jodemokratike dhe joeuropiane, që s’kanë pikë takimi, jo vetëm me njëra-tjetrën, por që të dyja e nxjerrin vendin për një kohë të pacaktuar nga rruga europiane e sigurt dhe e dëshiruar nga të gjithë shqiptarët”, shkruan ai.
18 tetori, kur Këshilli Evropian do të vendosë për negociatat me Shqipërinë, Meta kërkon që të jetë një ditë e gëzueshme për shqiptarët, por për këtë duhet zgjidhje dhe shtatori do të jetë shumë vonë.
“Në mënyrë që 18 tetori të jetë një ditë e gëzueshme për mbarë shqiptarët dhe rikthimi, jo vetëm të shpresës e sigurisë për të ardhmen, por në radhë të parë të të rinjve tanë. Shqipëria ka nevojë për zgjidhje! Tani! Në shtator do jetë shumë vonë! Aq më tepër pas 18 tetorit të sakrifikuar për mungesë përgjegjësie ndaj vendit”, thotë Meta.
Presidenti thekson se vendi është i lodhur me marrëveshjet e vonuara, të cilat bëhen, sipas tij, vetëm për karrierat e politikanëve të papërgjegjshëm.
“Shqipëria është lodhur me marrëveshje tejet të vonuara, që sakrifikojnë të ardhmen e saj, për të shpëtuar karrierat e politikanëve të papërgjegjshëm, në emër të gjoja stabilitetit që ata e minojnë çdo ditë me sjelljet dhe mosveprimet e tyre. SHQIPËRIA E PARA! Me vepra, jo fjalime”, mbyll reagimin Meta.
Top Channel