Njerëzit i kanë konsumuar burimet natyrore të Tokës për këtë vit, sipas shifrave. “Global Footprint Network” përllogarit çdo vit ditën e mbingarkesës së planetit, ose ditën e mbikonsumimit të Tokës.

Sipas të dhënave të kësaj organizate kjo ditë po afrohet gjithnjë e më shumë. Më 1971, dita e parë e mbikonsumit global përkoi me 21 dhjetorin. Vitin e kaluar ishte 1 gushti dhe sivjet për herë të parë ajo është zhvendosur akoma më herët duke përkuar me 29 korrikun. Si pasojë nga 30 korriku, bota fillon të marrë hua këto burime nga buxheti i përvitshëm ekologjik i të ardhmes.

Dita e mbishfrytëzimit të botës nënkupton, që njerëzit në këtë moment konsumojnë kaq shumë burime nga Toka, sa të gjitha ekosistemet mund të ripërtërijnë përgjatë një viti të tërë. Njerëzimi konsumon pra çdo vit më shumë tokë bujqësore dhe kullotash, rezerva peshku dhe pyje, se sa kanë faktikisht në dispozicion.

Po ashtu emetohet shumë më tepër dioksid karboni, nga sa mund të filtrojnë pyjet dhe oqeanet. Organizata ndërkombëtare e qëndrueshmërisë së burimeve natyrore me seli në Oakland të Kalifornisë, deklaron, se kostot e konsumit bëhen gjithnjë e më të dukshme, prej shpyllëzimit, erozionit të tokës, humbjes së diversitetit ose rritjes së përqendrimit të dioksidit të karbonit në atmosferën e Tokës.

Kërkuesit kanë dalë në përfundimin që nëse e gjithë popullata e botës do të kishte stil të njëjtë jetese me amerikanët, atëherë do të nevojiteshin burimet e pesë planeteve tokë. Disa vende evropiane po ashtu e gjejnë veten lart në listë, me Rusinë që kryeson në kontinent dhe Gjermaninë e Zvicrën që e pasojnë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA