‘Apeli’ i Durrësit rikonfirmon mandatin e kryebashkiakes së re, Sako: Vendimi i parë, i padrejtë

30/07/2019 11:18

Gjykata e Apelit në Durrës ka dhënë sot vendimin përfundimtar për mandatin e Kryebashkiakes së re të qytetit bregdetar Valbona Sako, duke rrëzuar vendimin e Gjykatës së Durrësit si dhe duke pushuar gjykimin për këtë çështje.

Kujtojmë se Sako fitoi nën siglën e Partisë Socialiste  në zgjedhjet e 30 qershorit, por gjykatësja e shkallës së parë, Mimoza Margjeka e konsideroi procesin zgjedhor nul, me pretendimin se  Bindja Demokratike e Astrit Patozit ishte regjistruar me vonesë.

Por vetëm dy ditë pasi gjykatësja Margjeka nuk i dha mandatin, kolegu i saj, Shpëtim Reka, me një vendim tjetër të shkallës së parë njohu mandatin e Sakos. Herën e dytë, kërkesa për njohjen e mandatit të Sakos u bë nga Partia Socialiste dhe ishte firmosur nga kryetar i PS, njëherazi edhe kryeministër i vendit Edi Rama.

Megjithëse gjykata herën e dytë ia njohu mandatin, Sako u shpreh se do ta ankimonte vendimin e Margjekës, ndaj sot e pyetur për dy vendimet e kundërta për mandatin e saj nga Gjykata e Durrësit, Sako u shpreh: “Uroj që të mos ketë më vendime të padrejta nga Gjykatat as për  Valbonën e as për qytetarët shqiptarë.  Gjykata e Durrësit dha vetëm një vendim të formës së prerë, tjetri ishte një vendim i padrejtë dhe që u prish nga Apeli”.

Top Channel