Nën hetime dy amerikanë për vrasjen e karabinierit italian

28/07/2019 22:47

Autoritetet italiane kanë identifikuar dy adoleshentë amerikanë si personat e dyshuar për vrasjen e një oficeri të forcave speciale në Romë.

Dje, hetuesit italianë thanë se gjatë marrjes në pyetje, dy të rinjtë, të cilët ndodheshin në Romë si turistë, kishin pranuar fajësinë gjatë dëshmisë. Të dy dyshohen për vrasjen e Mario Cerciello Rega, anëtar i një njësie të forcave speciale. Karabinieri Cerciello Rega u gjet i goditur tetë herë me thikë në një rrugë pranë hotelit luksoz ku po rrinin të rinjtë amerikanë.

18-vjeçari Gabriel Christian Natale-Hjorth, dhe 19-vjeçari Finnegan Lee Elder kanë qenë shokë në shkollë të mesme në San Francisko.

Sipas hetuesisë italiane, oficeri Cerciello Rega, së bashku me një koleg, ishin në patrullë të veshur civilë të premten, kur u përpoqën të ndalonin dy të rinjtë amerikanë pas një sherri për shitje droge në 3 të mëngjesit.

Dokumenti i ndalimit të dy shtetasve amerikanë thotë se 19-vjeçari Elder e goditi disa herë me thikë oficerin Cerciello Rega, i cili sapo ishte kthyer në detyrë pas muajit të mjaltit.

18-vjeçari Natale-Hjorth akuzohet se goditi me thikë oficerin tjetër, duke i shkaktuar plagë të lehta.

Përveç vrasjes dhe tentativës për vrasje, të dy ata pritet të akuzohen edhe për presion për zhvatje parash./VOA

Të dy të rinjtë kanë marrë avokatë mbrojtës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA