Një grup artistësh e vijuan edhe këtë të diel rezistencën për të ndaluar shembjen e Teatrit Kombëtar.

Ndërkohë politikanët e vijuan debatin për teatrin përmes rrjeteve sociale. Kryetari PD, Lulzim Basha ripublikoi një koment të një viti më parë ku e quan shembjen e teatrit një aferë për pastrim parash.

Sakaq kryeministri Edi Rama publikoi mesazhin e regjisorit të ndjerë Mihallaq Luarasi.

Kryeministri Rama thotë se Mihallaq Luarasi nuk jeton më, por e ka lënë pak vite më parë amanetin e tij për Teatrin Kombëtar. “Ky teatër që kemi sot është i pandreqshëm. Është turp që Teatri Kombëtar i Shqipërisë ka ngelur në atë ndërtesë të ndërtuar që në kohën e Italisë. Qysh në vitin 1966, drejtuesve të asaj kohe i është kërkuar një teatër i ri, që fatkeqësisht nuk u ndërtua kurrë. Duhet më shumë vëmendje për Teatrin Kombëtar, nuk duhet një rikonstruksion i tij, por ndërtimi i teatrit të ri”, ky është komenti të ndjerit Mihallaq Luarasi zgjedhur nga kryeministri për ta ripublikuar.

Kryedemokrati Basha ka ngulmuar edhe njëherë tjetër se Afera Rama-Veliaj e Kullave 200 milionë Euro te Teatri Kombëtar nuk ka të bëjë fare me Teatrin por vetëm me ndërtimin e kullave 200 milionë euro dhe pastrimin e parave të drogës.

Debati për Teatrin është loja për të fshehur grabitjen 200 milionë euro. Zoti Basha publikoi edhe një video grafike për të përforcuar argumentin e tij se arsyeja e vërtetë e prishjes së Teatrit Kombëtar është ndërtimi 6 kullave. Për këto akuza për pastrim parash droge kryedemokrati Lulzim Basha nuk ka sjellë deri më tani asnjë, provë konkrete për të mbështetur këtë pretendim.

Top Channel