Egan Bernal është lideri i ri i Turit të Francës. Çiklisti i skuadrës së Ineos e mori kryesimin në renditjen e përgjithshme, pas etapës së 19 që u shkurtua, pasi drejtuesit e Turit vendosën ta pezullonin atë në 26 km e fundit, për shkak të baltës që pushtoi rrugët, pas një stuhie breshëri që pushtoi territorin francez.
Etapa u pezullua në Col De L’Iseran dhe në atë moment Bernal ishte duke kryesuar atë. Ai kreu sulmin e tij në ngjitjen e parafundit të etapës, për të lënë pas shokun e tij të skuadrës, Geraint Thomas dhe holandezin Steven Kruijswijk.
Me atë çfarë ndodhi në këtë etapë nuk u zhvillua ceremoni për fituesin e etapës, megjithatë kohët e regjistruara nga çiklistët janë përllogaritur, përsa i përket renditjes së përgjithshme, që tani sheh në vendin e parë Bernal, me kohën 78 orë e 42 sekonda, duke zbritur në vendin e dytë francezin Julian Alaphillipe, me 48 sekonda më shumë, ndërkohë që në vendin e tretë është kampioni ende në fuqi i Turit të Francës, Geraint Thomas, me 1 minutë e 16 sekonda më shumë se Bernal.
Top Channel