Tirana do të presë në fund të muajit tetor Konferencën Mesdhetare të OSBE-së, me 57 vendet anëtare dhe me pjesëmarrjen e vendeve mesdhetare si, Egjipti, Jordania, Izraeli, Algjeria, Maroku dhe Tunizia. Përveç këtyre vendeve të ftuar do të jenë edhe nje serë organizatash ndërkombëtare si dhe partnerët aziatikë si: Afganistani, Australia, Japonia, Korea dhe Tajlanda.

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, në një postim në rrjetin social ‘Facebook’ njofton se vendimi është marrë nga Këshilli i Përhershëm i Ambasadorëve të OSBE-së.

“Ky vendim dëshmon edhe njëherë mbështetjen dhe besimin  që vendet anëtare të OSBE-së kanë ndaj Shqipërisë”, shkruan Cakaj.

Mbajtja e kësaj konference në Shqipëri kulmon kryesimin e vendit tonë të Grupit të Kontaktit për Mesdheun në kuadrin e Kryesimit nga Shqipëria të OSBE-së në 2020.

“Në fokus të kësaj Konference do të jetë eksperienca 25 vjeçare e partneritetit të OSBE-së me vendet e Mesdheut duke u ndalur në rëndësinë e dialogut në përballimin e sfidave të përbashkëta por dhe identifikimin e mundësive për bashkëpunim.” shkruan Cakaj.

Ai njofton se “tematikat e sesioneve të saj do të prekin praktikat më të mira në luftën kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm, promovimin e rinisë si faktor sigurie në rritjen e qendrueshmërisë dhe ndërtimin e urave të komunikimit mes dy brigjeve të mesdheut.”

Konferenca do të nënvizojë edhe rolin thelbësor të dialogut ndërfetar dhe ndërkulturor në promovimin e sigurisë në zonën e OSBE-së në marrëdhenie me partnerët mesdhetarë.

“Shqipëria nga ana e saj do të ofrojë të gjitha kapacitetet e veta dhe ekspertizën e krijuar për promovimin e vlerave të harmonisë fetare, luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe parimeve universale të të drejtave të njeriut”, përmbyll Cakaj postimin e tij.

Top Channel