Pasioni për peshkimin/ Pensionistët e apasionuar pas detit dhe sportit të peshkimit

27/07/2019 12:12

Çdo pasdite Hikmetin e gjen buzë detit teksa rreket të gjuajë ndonjë peshk me grepin e tij. Është një kënaqësi që e ushtron prej vitesh, sa herë që lë pas Tiranën dhe vjen të pushojë buzë Adriatikut. Sot nuk ka qenë një ditë e mbarë për të.

“Nuk ka peshk. Punoj për qejf. Kaloj ditën. Zakonisht vij pasdite dhe kur vij me pushime e shfrytëzoj edhe këtë. Në vitet e mëparshme ka qenë më mirë, po këtë vit nuk ka fare peshk”, shprehet peshkatari.

Pas 30 vitesh punë si shofer autobuzi, kryesisht i linjës Kombinat-Kinostudio në Tiranë, Hikmeti tani shijon qetësinë dhe mundësitë që ofron mosha e pensionit.

“Kam punuar 37 vjet me urban dhe janë përmirësuar shumë linjat, pavarësisht se njerëzit janë të shtrënguar. Autobuzat janë të rinj e të shpeshtë, pavarësisht se njerëzit janë të pakënaqur nga trafiku”, thotë më tej Hikmeti.

Në sezonin e verës, ai zgjedh gjithnjë plazhin e Durrësit e Malit të Robit për të pushuar. Janë afër me kryeqytetin, këndshëm dhe me më pak shpenzime.

“Durrësi është një vend i mirë shumë si nga popullata, ashtu dhe nga gjithçka tjetër. Zgjedh Durrësin se dhe deri aty e kam hapin. Unë me pension jam, me gruan e fëmijët”, shton ai.

Ashtu si për shumicën e pensionistëve shqiptarë, edhe për Hikmetin mundësitë për të pushuar gjetkë janë të pakta. Dëshira nuk mungon, po pensionet janë të vogla dhe i bëjnë të papërballueshme pushimet në largësi. Megjithatë ai mendon se e ka bërë udhëtimin e tij të jetës, kur ka vizituar vendin e ëndrrave, Amerikën. Tani shijon pensionin dhe gjithçka që i dhuron koha e fituar pas një jete punë në timon.

Top Channel