Komisioni i Posaçëm i Apelimit ka shkarkuar sot nga detyra kryetarin e Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori. Më 24 korrik të 2018, gjyqtari në fjalë kishte kaluar procesin e vettingut, duke u rikonfirmuar në detyrë.

Atë kohë KPK vlerësoi se kreu i Gjykatës së Lartë pati bërë deklarime të pasakta të pasurisë dhe kontrata fiktive, por ai u mbrojt duke thënë se kontratat ishin formale për pronën dhe brenda ligjit. Pavarësisht konstatimeve të parregullta me pasurinë, KPK e konfirmoi në detyrë, vendim që u kundërshtua me prova nga Komisioneri Publik, i cili e ankimoi çështjen në KPA.

Sot Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi shkarkimin e tij, duke dhënë edhe argumentet.  Në momentet që KPA ka dhënë vendimin, Zaganjori nuk ka qenë i pranueshëm në sallë.

Sipas KPA-së, kryetari i Gjykatës së Lartë nuk mbulon pasurinë me burime të ligjshme dhe ka kryer deklarim të pasaktë të pasurisë. Në lidhje me shpenzimet e shkollimit të fëmijëve të tij jashtë shtetit, gjyqtari nuk justifikon shumën e shpenzimeve.

Kush është Xhezair Zaganjori

Në vitet 1992-1997, Zaganjori ka qenë ambasador në Gjermani.

Në  vitet 1998-1999 ka qenë bashkëpunëtor shkencor pranë Institutit Max-Planck, për të Drejtën Ndërkombëtare dhe të Drejtën Kushtetuese në Heidelberg të Gjermanisë.

Në vitin 2003, Zaganjori është zgjedhur anëtar i Gjykatës Kushtetuese, detyrë të cilën e ka mbajtur për një dekadë.

Në mars të vitit 2013 ai zgjidhet anëtar i Gjykatës së Lartë dhe një muaj më pas emërohet kryetar i kësaj gjykate.

 

Top Channel