Fiks Fare trajtoi mbrëmjen e së premtes rastin e qytetares Jolanda Dodaj nga Velipoja , e cila prej më shumë se një viti nuk mund të paguajë detyrimet e taksave, pasi fatura i kishte shkuar 600 mijë lekë . Shkak janë bërë gjeneralitetet e njëjta të bashkëshortit të saj me dikë tjetër dhe Bashkia Shkodër e nxjerrë pronare të dy shtëpive , duke i faturuar edhe taksat e qytetarit tjetër Jolandës.

Qytetarja pohoi për Fiksin se bashkëshorti i saj quhet Zef Nikollë Dodaj dhe është pronar i një shtëpie në Pulaj Velipojë. Në korrik të vitit 2018 asaj i kishte shkuar nga Bashkia Shkodër fatura e taksave që duhej të paguante prej 611.984 lekë . E shqetësuar për shkak të shumës qytetarja iu drejtua zyrave të Aluiznit, pasi taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja ishte në vlerën e 603.641 lekë që nuk i takonte zonjës në fjalë. Ajo mësoi se rezultonte si pronare e dy shtëpive, një në Velipojë dhe një tjetër në Milot. Edhe pse kishte kaluar një vit, qytetarja nuk paguante dot taksat, pasi ende Bashkia Shkodër nuk i kishte çuar një faturë te re, të rillogaritur vetëm për pronën e saj. Në këto kushte Jolanda iu drejtua Fiks Fare për të zgjidhur problemin e saj, pasi bashkia nuk i kishte marrë parasysh kërkesat e saj.

Fiksi u interesua fillimisht në Kadastrën e Shkodrës, ku përgjegjësi i sektorit të legalizimeve shpjegon se rasti në fjalë trajtohet nga Drejtoria e Zonave të Stimuluara në Tiranë, pasi banesa e saj ndodhet në bregdet. Jolanda i ishte drejtuar Drejtorisë së Zonave të Stimuluara , por sipas saj kjo e fundit nuk kishte dërguar pranë Bashkisë Shkodër dokumentin se ajo poseidonte vetëm një banesë atë në Velipojë.
Por një gjë të tillë e hedh poshtë juristja e kësaj drejtorie e cila deklaroi për Fiksin se Bashkisë Shkodër i është dërguar njoftim zyrtar, pas verifikimeve të gjeneraliteteve u kuptua se kishin të bënin me dy persona të ndryshëm me të njëjtin emër, Zef Nikollë Dodaj. dhe verifikimi ishte mjaf i lehtë duke u kuptuar vetëm nga data e ditëlindjes. Sipas saj Bashkia Shkodër duhet të bëj një rillogaritje të faturës për qytetaren pas njoftimit të tyre. Ky njoftim i është dërguar Bashkisë Shkodër në nëntor të vitit 2018 nga Drejtorisë së Zonave të Stimuluara.

Fiksi udhëtoi përsëri drejt Shkodrës për të pyetur në bashki se përse qytetares nuk i kishte shkuar një faturë e re me përllogaritje reale. Drejtoria e të ardhurave pranë Bashkisë Shkodër sqaroi se kishin marr informacionin e nevojshëm nga Tirana për rastin në fjalë, por ka pasur një numër të madh subjektesh që janë trajtuar e kjo ka sjell vonesë. ” Shumë shpejt qytetares do t’i dërgohet fatura e re, me vlerën reale që ajo mund të paguajë ” tha Blendi Gjylbegaj, drejtor i Drejtorisë së të ardhurave Shkodër. Por duhej interesimi i Fiks Fare që Jolanda të mund të kishte faturën e saktë me përllogaritje për të paguar detyrimet për shtëpinë e saj.

Top Channel