Anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL është një qëllim që po synohet të realizohet që nga viti 2010. Edhe sivjet, Kosova ka paraqitur kërkesën e saj për anëtarësim, e cila është proceduar dhe është futur në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme të INTERPOL-it, që do të mbahet në Kili, gjatë muajt tetor.

Asambleja e Përgjithshme, shihet si finale ku do të vërtetohet nëse Kosova i ka apo jo votat e mjaftueshme për anëtarësim dhe se faza kryesore, konsiderohet ajo e lobimit për sigurimin e votave nga vendet anëtare. Për shkak të mungesës së votave, Kosova pati dështuar vitin e kaluar që të anëtarësohet në këtë organizatë. Lobimi i Kosovës për anëtarësim, sikurse edhe viteve tjera, po sfidohet nga kundër-lobimi i Serbisë.

Procedura e anëtarësimit në INTERPOL parasheh sigurimin e dy të tretave të votave të vendeve pjesëmarrëse në Asamblenë e Përgjithshme.

Plator Avdiu, njohës i çështjeve të sigurisë, hulumtues në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, tha për Radion Evropa e Lirë se Kosova pa e bërë një analizë që çoi në dështimin e anëtarësimit të saj vitin e kaluar, nuk do të duhej të hynte fare në procedurën e votimit në takimin e radhës së Asamblesë së Përgjithshme. Sipas tij, gjasat edhe këtë herë janë minimale që Kosova të anëtarësohet në INTERPOL.

“Duke e vlerësuar procesin, nuk mendoj se ekziston ndonjë shpresë që mund të anëtarësohemi. Sigurisht që zhvillimet e fundit politike që kanë ndodhur munden potencialisht edhe ta dëmtojnë procesin, por procesi edhe ashtu është shumë i dëmtuar për shkak të dështimit në vitin e kaluar. Asambleja do të mbahet në një vend që nuk e kanë njohur Kosovën”, thekson Avdiu.

Qeveria e Kosovës, aktualisht po vepron si një qeveri në dorëheqje, pasi që Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit. Zëvendësministri i Jashtëm (në dorëheqje), Anton Berisha, tha për Radion Evropa e Lirë se Bashkimi Evropian si lehtësues i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të duhej të ndikonte te pala serbe që të ndalë lobimin kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

“Nuk është çështja se a janë kryer punët e tjera apo jo, çështja është a ka nevojë çdo proces normal të shndërrohet, të them ashtu, në njëfarë lufte politike apo jo. INTERPOL-i është çështje e sigurisë teknike do të thotë ka të bëjë me sigurinë e Kosovës, rajonit, Evropës do të thotë nuk do të duhej të politizohej se natyra e saj është jopolitizimi”, tha Berisha.

Përveç dialogut të Brukselit, ai thotë se edhe Procesi i Berlinit, në të cilin bëjnë pjesë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor e parasheh bashkëpunimin.

Përderisa Berisha pret ndikimin e BE-së për të ndalë lobimin e Serbisë, një gjë të tillë nuk e pret kabineti i ministrit të Jashtëm (në dorëheqje), Behgjet Pacolli. Nga zyra e Pacollit, këshilltari i tij, Jetlir Zyberaj thotë se Serbia me veprimet e saj, siç është pengimi i Kosovës për anëtarësim në INTERPOL, është duke e dëmtuar në masë të madhe sigurinë, jo vetëm rajonale, por edhe atë globale.

“Personalisht nuk pres asnjë veprim të BE-së në raport me Serbinë dhe kjo është zhgënjyese, jo vetëm për Kosovën, por për të gjitha vendet në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, thekson Zyberaj.

Ai thotë se qasja e Bashkimit Evropian dhe mekanizmave ndërkombëtar, kur vjen në shprehje sjellja e Serbisë në raport me Kosovën “është jashtëzakonisht e padrejtë”.

“Serbia po tolerohet në secilin rrafsh. Serbia tolerohet kur bën ushtrime apo manovra ushtarake Rusinë dhe vendet që e rrezikojnë sigurinë nacionale dhe evropiane. Serbia po ashtu tolerohet edhe kur i promovon kriminelët e luftës”, tha Zyberaj.

Por, pavarësisht sfidave, Zyberaj thotë se Kosova edhe në këto rrethana, kur qeveria është në dorëheqje, do t’i vazhdojë përpjekjet për sigurimin e mbështetjes së vendeve anëtare për anëtarësim.

“Anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL është pjesë e agjendës së kësaj organizate dhe është bërë pjesë e agjendës në muajin e kaluar dhe gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme do të hidhet në votim kërkesa e Kosovës për anëtarësim”, tha Zyberaj.

Ndërkohë, Plator Avdiu, mendon se sivjet gjasat e Kosovës janë edhe më të vogla që të merr mbështetjen dhe votat e nevojshme për anëtarësim.

“Sigurisht që në MPJ thonë se janë të përgatitur, por sipas informatave që kam është se numri i shteteve që do të votojnë sivjet mund të jetë më i vogël se sa në vitin e kaluar. Thjesht nuk mund te ecësh përpara pa e përmirësuar ata që është bërë vitin e kaluar. Vitin e kaluar ka ndodhur një dështim tepër i madh”, tha Avdiu.

Komiteti Ekzekutiv i Organizatës Ndërkombëtare të Policisë – INTERPOL, tashmë ka vendosur në favor të dërgimit të dosjes së Policisë së Kosovës për votim në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate, e cila sivjet do të mbahet në Kili.

INTERPOL-i është organizata më e madhe ndërkombëtare për bashkëpunim policor. Në bazë të përshkrimit të detyrave, qëllimi i INTERPOL-it është të ofrojë mbështetje sa më të madhe për institucionet policore të vendeve që janë anëtare në pajtim me ligjet e vendeve përkatëse dhe Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut. Ky mekanizëm ka për synim zhvillimin e institucioneve për të parandaluar dhe luftuar në mënyrë efikase veprat penale të shkaktuara nga shkelësit e ligjit.

Më 20 nëntor të vitit 2018, Kosova nuk kishte arritur të anëtarësohet në INTERPOL, pasi që nuk mori shumicën e nevojshme, prej dy të tretave të votave të vendeve pjesëmarrëse në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate, që u mbajt në Dubai.

Tentativat e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL kanë nisur që nga viti 2010. Atë kohë, Komiteti Ekzekutiv i kësaj organizate, nuk e kishte marrë fare parasysh kërkesën e parashtruar nga Prishtina zyrtare. Më 2015 dhe 2016, Kosova kishte aplikuar, por nuk ishte futur në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme.

Më 2017, Kosova pati tërhequr vullnetarisht kërkesën, për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA