Zëvendës kryeministri italian, Matteo Salvini i shmangu me mungesë pyetjet në parlament mbi pretendimet se partia e tij e ekstremit të djathtë, lega e veriut ka kërkuar para nga Rusia.
Numri dy i ekzekutivit, i cili ka në duart e tij edhe freret e Ministrisë së Brendshme, nuk ishte i pranishëm në sallë, megjithatë këmbëngul se forca e vet politike as ka kërkuar, e as ka marrë para nga Rusët.
Në vend të Salvinit, përgjigjen këtyre zërave ua dha kryeministri Giuseppe Conte, në arsyetimin e të cilit nuk ka asnjë provë e cila të tkurrë besimin që ai ka tek të gjithë anëtarët e qeverisë. Raportet që nxorën krye në fillim të muajt tregojnë se një prej ndihmësve të Salvinit është përpjekur të arrijë një marrëveshje nafte në Moskë, e cila do të kishte dërguar fonde ruse në arkat e Legës, për të forcuar fushatën e saj përpara zgjedhjeve europiane të muajit maj.
Në të vërtetë, nuk ka dëshmi që të tregojnë finalizimin e një marrëveshjeje të tillë, megjithatë akuzat e shfaqura për herë të parë në muajin shkurt, i shtynë prokurorët në Milano të nisnin një hetim dhe kanë hedhur një tis dyshimi mbi marrëdhëniet mes Ligës dhe Kremlinit.
Një grup senatorësh të lëvizjes 5 yjet munguan gjithashtu nga seancë parlamentare, e këtë pjesërisht ia detyruan fakti që Salvini sipas tyre, duhet të kishte qenë aty e t’iu përgjigjej personalisht akuzave për aferën ruse.
“Russiagate” ka dominuar së fundi skenën politike italiane, por mbështetjen për Legën nuk e ka lëkundur, përkundrazi, këto javët e fundit ajo është rritur në nivelin 37.8%.
Salvini e di se italianëve nuk u intereson shumë çështja e parave ruse, thotë Prof. Mattia Diletti, i universitetit të Sapienzas, në Romë.
Ai e di se po të përgjigjet në parlament, kjo për të ka për të qenë negative. Megjithatë për etiketën institucionale nuk i bëhet shumë vonë, ai që i intereson është komunikimi dhe konsensusi, shton Diletti.
Partia demokratike në opozite deklaroi se do të paraqiste një mocion mosbesimi ndaj Salvinit, për refuzimin që ministri po i bën përballjes me parlamentin lidhur me këtë çështje.
Top Channel