Nëse të pëlqen historia, mali, noti, peshkimi; të gjitha këto i gjen në Lin. Lini është një gadishull i vogël në brigjet perëndimorë të liqenit të Ohrit, 22 kilometra larg Pogradecit. Pronarët e bujtinave thonë se LIni tashmë është kthyer në qendër të vëmendjes së turistëve të huaj dhe është braktisur nga vendasit.
“Më shumë frekuentohet nga të huajt sepse ata vijnë për pak ditë. Ndërsa shqiptarët për 10 ditë. Përveç natyrës këtu turisti vjen edhe për gatimet tradicionale si tava e koranit dhe lakrori”, shprehet Naun Bicaj, administrator bujtine.
Nëse vendos të qëndrosh në Lin, dita me nis me këtë pamje. Shtëpitë e fshatit janë ngritur buzë shkëmbit, rrugicat e shtruara me gurë të dehin nga aroma e luleve shumëngjyrëshe. Ky fshat i vogël ndahet në dy lagje, ajo e të krishterëve dhe ajo e myslimanëve.
Fshati i Linit ka 8 kisha, të cilat mbajnë emrin e shenjtorëve të ndryshëm. Një bunker në majë të kodrës, mendohet se është ngritur mbi rrënojat e Kishës së Shën Andonit, për këtë arsye banorët e zonës brenda tij kanë vendosur ikona.
Nëse ecën në rrugicat e Linit, të gjithë të përshëndesin sikur të ishe banor i asaj zone. Falë mikpritjes, turistët e huaj thonë që do të kthehen sërish në Lin.
“Në jemi nga Holanda. Bëmë një tur të liqenit ku pamë gjëra të reja. Këtu është kaq qetë dhe bukur. Po, ne do të kthehemi përsëri këtu dhe do t’ia sugjeroja kujtdo që të ndalonte dhe të drekonte këtu” , thotë një turist i huaj.
” Është hera ime e parë që vij në Shqipëri. Këtu është shumë këndshëm. Njerëzit janë shumë miqësorë dhe ushqimi është shumë i mirë”, shprehet turistja tjetër e huaja.
” Këtu ka një respekt shumë të madh. Dal në rrugë njerëzit nuk më njohin fare dhe më përshëndesin të gjithë”, thotë turistja shqiptare.
Gazetarja e Top Channel, Rudina Muça, e pyet se sa do të rrijë dhe qëndrojë në Lin.
“Kjo është zemërmadhësi! Një gjë të tillë nuk e gjen në Zvicër. Si Shqipëria edhe Zvicra afërsisht janë shumë të ngjashme. Kanë alpet, malet, liqenet, borën. Por këtu natyra është e paprekur nga dora e njeriut “, krahason turistja.
Jeta këtu në gadishullin e Linit ka filluar që në epokën e parë të periudhës së hekurit dhe ka vazhduar deri në mesjetën e hershme. Gërmimet arkeologjike kanë zbuluar rrënojat e kishës paleokristiane, që daton të shekullin e IV-V të erës sonë. Dyshemeja e kësaj kishe është e shtruar me mozaikë të mrekullueshëm shumë ngjyrësh. Kjo kishe ndahet në 10 ambiente dhe në dhomën e gjashtë, ose e njohur ndryshe si Postofori, ka shërbyer si dhomë për ruajtjen e teksteve ungjillore, ndërsa sot kjo Kishë ruan historinë e Linit, një histori që duhet ta njohim të gjithë ne.
Top Channel