Në studion e Topp Talk, gazetari Denis Dyrnjaja i mori të mirëqena shifrat e qeverisë për pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhjet e 30 qershorit. Por edhe në rastin optimist, pra sikur pjesëmarrja të ishte rreth 20% sërish logjika të çon që jo pak, por 80% e qytetarëve e kanë bojkotuar procesin.

Ky konstatim vuri disi në siklet Ministren e Shtetit për marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali, e cila u mbrojt duke thënë se socilistët në këto zgjedhje kanë marrë pothuajse aq vota sa morën në zgjedhjet e vitit 2017-të

“Në kushtet ku ishim, ne në fakt prisnim më pak pjesëmarrje. Kanë votuar më shumë se 800 mijë qytetarë dhe Partia Socialiste ka marrë pak a shumë aq sa vota ka marrë në vitin 2017. Patjetar që politika duhet të gjejë arsye për t’i frymëzuar njerëzit. por po ju kujtoj që para 30 qershorit diskutohej për djegie te KZAZ-ve, digjeshin shkolla si në rastin e Shkodrës pra bëhej fjalë për një dhunë sistematike e orientuar jo vetëm drejt qendrave të votimit por edhe drejt njerëzve. Krerët e opozitës kërcënonin qytetarët për të mos votuar, pretendonin se zgjedhjet nuk do të bëheshin dhe megjithatë mbi 800 mijë qytetarë votuan dhe ju kujtoj që në zgjedhjet lokale pjesëmarrja përgjithësisht është më e ulët se në zgjedhjet e përgjithshme. PS si forcë politike, dhe kjo është anliza që ne bëjmë në Asamble Kombëtare ka ruajtur votën e saj edhe në kushte të tilla. Vota e 2017-tës nuk ishte një votë për të mos u konsideruar, ishte një votë plebishitare për Partinë Socialiste që na dha ne mundësinë për të qeverisur të vetëm. Në këtë pikëpamje, ne si forcë politike ndihemi të përulur në fakt për besimin që qytetarët na dhanë dhe kemi ndërmend që këtë besim t’ia rikthejmë atyre me punë si në pushtetin vendor, në qeveri, por edhe si mazhorancë e përgjegjshme në Parlament”, deklaroi Spiropali.

Por a e beson edhe vetë Spiropali se kjo mazhorancë po qeveris mirë? Ajo thotë se shumë gjera do të donte të ishin ndryshe, por i justifikon me faktin se sipas saj është bërë një punë e mirë në shtyllat e qeverisjes.

Më tej Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali ju përgjigj edhe akuzave për kapje të sistemit të drejtesisë nga ana e qeverisë.

“Nuk ka lidhje kjo me atë çka ndjen, kjo ka lidhje me faktet dhe ka lidhje me ato që bëhen. A ka vend për përmirësim në qeverisje, sigurisht që ka. Ne do të donim që ekonomia të rritej më shpejt dhe të kishte një vrull më të madh. Do të donim tjetër të kishim më shumë drejtësi në shoqëri, në të gjitha pikëpamjet. Do të donim që policia të kishte më shumë investim dhe të kishim më shumë rend dhe të tjera çështje. Por besoj se është bërë një punë ë mirë mbi shtyllat e qeverisjes. Ligjshmëria ka qenë dhe është thelbi i qeverisjes tonë, ligjshmëria dhe drejtësia që janë të pandara. Për ne drejtësi në sallën e gjyqit apo drejtësi në shoqëri janë të pandara pra politika nuk është se është e shkëputur nga jeta e qytetarit dhe ne po fjalim këtu nëpër epruveta. Ne po flasim këtu për një realitet jetësor. Çështja e drejtësisë nuk është çështje e strukturës së një godine, siç u inaugurua godina e drejtësisë së re, por ka të bëjë më një strukturë të tërë qeverisëse te drejtësisë e cila ka impakt të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve”, deklaroi Spiropali

Spiropali ju përgjigj me tej edhe akuzave për kapje të sistemit të drejtësisë nga ana e qeverisë.

“Nuk janë hedhur tani, kanë qenë në vijimësi në fakt, strategji opozitare për të goditur reformimin e sistemit të drejtësisë. Ju kujtoj se Partia Demokratike, por edhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë votuar vetëm ndryshimet kushtetuese, 140 vota para 3 viteve dhe më pas kanë bojkotuar, kanë shtyrë dhe kanë bërë çdo përpjekje për të sabotuar reformën në drejtësi. Ju them që reforma në drejtësi është pa kthim, është tashmë e pashmangshme dhe është e pakontrollueshme sepse arkitektura e sistemit të drejtësisë së re nuk i lejon ndërhyrjet për shkak edhe të këmbënguljes fortë të partnerëve tanë dhe mënyrës se si është strukturuar, theksoi Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin.

Top Channel