“Çfarë kemi bërë deri më tani nuk ka më rëndësi pas 30 qershorit.” Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama përpara anëtarëve të Asamblesë Socialiste, të cilëve u kërkoi që të rrisin vëmendjen dhe shërbimin ndaj qytetarëve.
“Niveli i shërbimit ndaj qytetarëve jo vetëm që nuk mjafton, por duhet të na shqetësojë”, theksoi ai.
Rama paralajmëroi se nëse anëtarët e PS nuk e kuptojnë këtë fakt, atëherë njerëzit do të humbasin durimin me mazhorancën dhe nuk do t’i mirëkuptojnë gabimet e saj.
“Nëse nuk e kuptojmë këtë sa më parë, aq më shpejtë, njerëzit pas 30 qershorit do të humbasin durimin me ne. Do të jenë shumë më pak të priur të mirëkuptojnë gabimet tona dhe nuk do të kenë asnjë gatishmëri të na falin kusuret që na i kanë falur deri me 30 qershor”, tha Rama.
Ndonëse 30 qershorin e konsideroi fitore historike të qytetarëve, Rama tha se Partia Socialiste këtë herë nuk iu shmang mundësisë së përplasjes sy për sy dhe dhemb për dhemb.
“Ne kemi vetëm një meritë në fitoren historike të shtetit dhe qytetarëve më 30 qershor, kemi meritën që qëndruam në anën e duhur të historisë dhe që bëmë zgjedhjen më të vështirë për të udhëhequr në shtegun më të ngushtë dhe kjo meritë është padiskutim një shprehje e natyrshme, sipas meje, e asaj që ka qenë, është dhe duhet të jetë PS-ja qysh në ditën e parë të krijimit të saj, me ndryshimin që këtë herë PS nuk iu shmang mundësisë së përplasjes sy për sy dhe dhemb për dhemb”, tha ai.
Në fjalimin e mbajtur në Asamble, Rama dha sinjalin e qartë se nuk i mendon zgjedhjet e parakohshme.
“Tani 30 qershori është histori, ndërsa dy vitet e mbetura të qeverisjes dhe katër viteve të qeverisjes lokale që fillon, janë një borxh. Janë një borxh i shumëfishuar ndaj gjithë atyre që i dhanë Shqipërisë fitoren e 30 qershorit”, theksoi kryeministri.
Rama në Asamble: Më 30 qershor fitoi shpresa, por plaga mbetet e hapur
Top Channel