Gjatë takimit që zhvilloi me strukturat e Partisë Demokratike në Has, Lulzim Basha theksoi se “aksioni politik i opozitës do të vazhdojë deri në përmbushjen e objektivit, që janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, në të njëjtën ditë me zgjedhjet lokale nën kujdesin e një qeverie tranzitore, pa Edi Ramën.”
Sipas tij, mesazhi i dyfishtë i 30 qershorit ishte refuzimi i Ramës dhe kërkesa për ndryshim.
“Ndryshimi i thellë, ekonomik dhe politik është prioriteti numër një i Partisë Demokratike e cila ka një program të qartë që zgjidh problemet e biznesit, zgjidh problemet e rinisë, të fermerëve, zgjidh problemin e papunësisë, si problemi kryesor i vendit”, është shprehur Basha.
Lulzim Basha tha gjithashtu se në 6 vjet qeverisje Edi Rama shkatërroi tre themelet e bashkëjetesës demokratike, pluralizmin, zgjedhjet e lira, shtetin e së drejtës.
“Farsa e 30 qershorit i shërbeu mbarë botës për të parë se ky njeri nuk bën dot zgjedhje. Edhe kur vetë kandidon, vetë voton, vetë numëron, vetë tabulon, vetë shpall rezultatin, prapëseprapë, nuk rri dot pa i vjedhur zgjedhjet. Për pushtetin dhe pasurinë e tij, është i gatshëm t’i vërë kazmën pluralizmit dhe demokracisë”, tha kreu i opozitës.
Top Channel