Goditet një tjetër rast i shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla në lokalet e natës. Në kuadër të operacionit të koduar”Frekuentuesit” kanë rënë në pranga tre persona, shtetasit: M. I., 35 vjeç; G. XH., 43 vjeç dhe E. F., 22 vjeç banues në Tiranë.

Nga ana e policisë është marrë informacion në rrugë operative se në rrugën “Budi”, Tiranë, në katin e parë të një pallati, ndodhet një ambient, ku në bazë të informacioneve dyshohej se persona të ndryshëm e frekuentonin këtë ambient duke tregtuar dhe pirë lëndë narkotike kokainë.

Në këtë kuadër u organizua dhe finalizua operacioni, duke ushtruar kontroll në ambientet e lokalit, ku si rezultat, këtyre shtetasve iu gjetën disa doza me lëndë narkotike të dyshuar kokainë, si dhe nga kontrolli i mëtejshëm i ambienteve u gjet dhe u sekuestrua dhe 3.7 kilogramë pluhur i dyshuar përzierës për kokainën.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe prova të tjera ligjore që do shërbejnë për dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale të shpërndarjes së drogave të forta.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, në ngarkim të shtetasve të mësipërm, të cilët janë arrestuar në flagrancë, për veprën penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim.

Top Channel