3 vjet reformë në drejtësi/ Ambasada e SHBA publikon video: Të gjithë të barabartë para ligjit

22/07/2019 15:21

U mbushën plot tre vite nga ndryshimet kushtetuese që i hapën rrugë pastrimit te sistemit te drejtësisë. Një reformë e cila pati dhe ka mbështetjen dhe gardianët e saj SHBA dhe BE. Në këtë pervjetor të tretë të kësaj reforme ambasada e SHBA në Tiranë publikoi një videomesazh ilustrativ i cili i jep përgjigje pyetjeve Çfarë është reforma në drejtësi? Si po zbatohet? Si do të ndikojë në jetën tënde dhe në jetët e shqiptarëve?

Reforma në drejtësi thekson ambasada amerikane, do të sigurojë që çdokush të jetë i barabartë përpara ligjit. Ndërsa kryeministri Edi Rama përmes një mesazhi thotë se është krenar që Partia Socialiste u rreshtua në kahun e çuarjes përpara të reformës.

“3 vjet nga votimi i ndryshimeve kushtetuese për Reformën në Drejtësi, mjafton të shohësh e të dëgjosh armiqtë e saj, për të kuptuar se sa e drejtë dhe jetike është ajo për Shqipërinë Europiane. Krenar për PS dhe mirënjohës për miqtë e partnered, në këtë betejë për të ardhmen”, shkruajti Rama.

Por Partia Demokratike thotë se pas tre vjetësh ka vetëm një rezultat: Drejtësi e kapur nga Edi Rama.

“3 vjet pas miratimit konsensual të ndryshimeve kushtetuese, shqiptarët janë dëshmitarë se drejtësia private e Edi Ramës nuk ka ndëshkuar asnjë zyrtar të lartë. Asnjë ministër, asnjë zyrtar i lartë publik, asnjë politikan nuk ka dalë para drjetësisë për vjedhjen e përditshme të shqiptarëve”, tha Çlirim Gjata.

Kuvendi i Shqipërisë e kujtoi 3 vjetorin e reformës përmes botimit të vëllimit të dytë të quajtur “Reforma në Sistemin e Drejtësisë, Debati Kushtetues”.

“Reforma në drejtësi është një meritë ekskluzive e Kuvendit të Shqipërisë, një arritje dhe shërbimi më i mirë për shoqërinë dhe qytetarët shqiptarë, për shtet-bërjen dhe të ardhmen e vendit. Dëshiroj të rikonfirmoj qëndrimin tim personal dhe të Kuvendit të Shqipërisë se reforma në drejtësi është e pakthyeshme dhe e panegociueshme. Por ritheksoj se as reforma në drejtësi, as vettingu, as ngritja e institucioneve të reja të sistemit nuk janë qëllim në vetvete. Sfida e vërtetë e reformës është dhënia e drejtësisë dhe barazia reale e shtetasve para ligjit”, tha Ruçi .

Kreu KED Ardian Dvorani i pyetur se si po ecën procesi ngritjes së gjykatës kushtetuese dha këtë përgjigje.

‘Pasnesër këshilli do të marrë në shqyrtim 14 nga kandidatët dhe në ditët në vijim pjesa tjetër dhe mmë pas do kalojmë në fazën e vlerësimit e pikëzimit të tyre”, tha Dvorani.

Top Channel