Sot ishte puntata e fundit për këtë sezon e spektaklit” E Diell” me autorësi të Edi Manushit. Programi i konceptuar në formën e një mozaiku të ftuarish, rubrikash, moderatorësh dhe trajtimin në një format mjaft dinamik të personazheve të muzikës, ekranit, politikës, sportit apo dhe aktualitet mbajti të gozhduar për 24 të diela rresht teleshikuesit para ekranit të Top Channel.
Si ishte eksperienca e moderatorëve të “E Diell”?
Einxhel Shkira tregoi se “E Diell” ishtë një motiv më shumë që mamaja e saj, e cila dy vjet më parë për shkak të një problemi shëndetësor u detyrua të rrinte në shtëpi, t`i kalonte duke parë vajzën saj në ekran, të kompesonte mungesën e aktivitetit të mëparshëm dhe të dielat të kishin më tepër kuptim për të. Vërejtja më e shpeshtë që mami i bën Einxhelit janë vathët.
Ervin Kurti si klasifikim të përsonazhit më interesant cilësoi Adelina Ismajlin jo vetëm sepse ajo zgjodhi “E Diell” pas 6 vitesh shkëputjeje në ekranet shqiptare për t`u rikthyer, por sepse ardhja e saj në program ishte një ogur i mirë për të gjithë personazhet e tjerë që pasuan që për hir të së vërtetës sipas Kurtit, kanë qenë ON TOP!
Argjira Spanca e cilësoi prezencën e saj në “E Diell” një hap shumë të madh si eksperiencën e parë televizive të saj. Ajo jo vetëm provoi veten në ekran, por u ndje dhe komode duke krijuar miqësi më të gjithë pjesëtarët e stafit, sidomos me Einxhel Shkirën.
Fjoralba Ponari kujtoi kur i tha PO projektit të ri fill pas përfundimit të programit sportiv “Top Arena”. Pas euforisë së momentit, ajo mban mend se është penduar brenda 2 minutave, por kur filloi puna me orare të zgjatura ka pasur momente kur ajo i thoshte vetes: “O Zot po bëj mrekulli në skenë e të tjera momente kur thoshte: Ç`dreqin e dua këtë”.
Për Nevina Shtyllën ekrani s`ishte gjë e re për të, por atmosfera e “E Diell” i ka pëlqyer shumë me uljet dhe ngritjet e veta tamam si në familje. Ajo vlerësoi faktin që të gjithë bashkë ata i kanë superuar vështirësitë e sezonit, duke njohur më mirë njëri-tjetrin dhe duke e finalizuar me sukses atë.
Flori Gjini në një rradhitje të shteteve më interesante si pjesë të rubrikës së tij “Escape”, pohoi se Australia mban vendin e parë duke veçuar momentin e topit të golfit që aksidentalisht i ra në kokë këngëtares Manjola Nallbani, mandej Brazili, Anglia, Kongo, Polonia dhe Hollanda.
Alesia Bami në një improvizim interesant duke imituar Flori Gjinin kur ka parë petullat e Polonisë, tha se kur erdhi në “E Diell” gjeti një harmoni maksimale të grupit, duke mos përjashtuar dhe karakteret e gjithësecilit. Më rëndësi ka qenë fryma pozitive që sipas saj, e ndjen që do vazhdojë edhe në sezonin e ri.
Enea Melaj përtej kënaqësisë që ka përftuar duke qenë pjesë e “E Diell”, ai përmendi dhe një detaj shumë të rëndësishëm. Melaj e ndjen veten me fat për rrugëtimin e tij profesional duke pasur parasysh që nga ana tjetër shumë persona ëndërrojnë të jenë pjesë e këtij formati.
“E Diell” rikthehet për të gjithë teleshikuesit në shtator me një seri ndryshimesh, por me qëllim të njëjtë, argëtimin në të gjitha dimensionet e mundshme të publikut brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë.
Top Channel