Eksperti amerikan i çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer tha nga Prishtina ku ndodhet për vizitë se ishte befasuar nga lajmi i dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj, me të cilin ishte takuar të mërkurën.
“Jam shumë i sigurt që nuk e kishte idenë që do të jepte dorëheqjen të premten”, tha ai.
Zoti Serwer tha se mendon se zoti Haradinaj ka bërë veprimin e duhur por se tani qeveria është në një pozicion të pakëndshëm.
“Do të duhet të presim të shohim nëse kjo do të çojë në zgjedhje të parakohëshme, që opozita i kishte kërkuar gjithsesi dhe që mendoj se mundësua për to është më e madhe tani sesa ishte dje”, tha zoti Serwer për Zërin e Amerikës.
Përsa i takon ndikimit që ky zhvillim do të ketë për një dialog Kosovë-Serbi, është e qartë tha zoti Serwer se një ndryshim qeverie do ta vononte më tej dialogun.
“Në këtë drejtim nuk besoj që gjendja bëhet shumë më keq se ç’është aktualisht. E vetmja gjë që mbetet tani, është që të presim se kush do të bëhet kryeministër dhe kush do ta mbajë shumicën në parlament”, tha ai.
Top Channel