Gjykata ndryshon mendje për Durrësin, i jep mandatin Valbona Sakos katër ditë pasi rrëzoi zgjedhjet

19/07/2019 14:49

Valbona Sako certifikohet nga Gjykata e Shkallës së parë Durrës si kryebashkiake e qytetit bregdetar.

Beteja juridike për të certifikuar në Gjykatë socialisten Valbona Sako si kryebashkiake e Durrës mori një rrjedhë tjetër pas vendimit të kater ditëve më parë nga gjyqtarja Mimoza Margjekaj e të njëjtës Gjykatë.

Argumenti kundërshtues i gjyqtares Margjekaj, lidhej me faktin se sipas saj Bindja Demokratike nuk është regjistruar brenda afateve në KQZ.

Avokatët e Partisë Socialiste ndërmorën një tjetër betejë ligjore përballë kësaj situate.

Ata depozituan në gjykatën e Durrësit paraditen e të enjtes një kërkesë të dytë që nuk mbante nënshkrimin e Valbona Sakos, por të kryesocialistit Edi Rama në emër të Partisë Socialiste.

Shorti kësaj kërkese i ra gjyqtarit Shpëtim Reka, i cili e ka shqyrtuar kërkesën paraditen e të premtes duke e certifikuar zonjën Valbona Sako si kryebashkiake të Durrësit.

Gjyqtari Shpëtim Reka jep këtë argumentet: “Nuk ekzistojnë pengesa procedurale që do të pengonin shqyrtimin nga ana e saj të kërkesës së Partisë Socialiste të Shqipërisë për vërtetimin e mandatit si Kryetare e Bashkisë Durrës të Znj.Valbona Sako. Pas këtij përfundimi gjykata çmon se prej saj duhet të shqyrtohet legjitimimi i Partisë Socialiste të Shqipërisë në paraqitjen e kërkesës për vërtetimin e mandatit të kryetari të bashkisë, kompetenca”.

Mësohet se të njëjtën strategji PS do ta ndjekë edhe për Bashkinë Vorë për të cilën gjyqtarja Aiana Gunbardhi – Caco shprehu moskompetencë.

Pritet që gjykatës së Tiranës t’i shkojë një kërkesë e re kësaj here me firmën e kryesocialistit Edi Rama. Deri më tani janë 36 kryebashkiakë që kanë marrë konfirmimin nga Gjykatat e rretheve.

FOTO GALERI
11/11

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA