Sot është radha e 3 ekipeve të tjera shqiptare të zbresin në fushën e lojës në kompeticionet evropiane dhe bëhet fjalë për Kukësin, Teutën dhe Lacin që do të luajnë ndeshjet e tyre të kthimit në raundin e parë kualifikues të Europa League.
Kukësi do të presë Debrecenin në Elbasan Arena me humbjen 3-0 të sfidës së parë që e bën kualifikimin e verilindorëve një mision praktikisht të pamundur. Megjithatë trajneri Gjoka nuk heq dorë dhe premton betejë në fushën e lojës.
“Nëse arrijmë të kualifikohemi, nuk i japim të mira vetëm ekipit të Kukësit, por të gjithë futbollit shqiptar. Por nuk do të jetë e lehtë, pasi përballë kemi ekipin e Debreçenit. Ne bëmë një ndeshje shumë të mirë atje në fazën sulmuese, si asnjëherë tjetër, por nuk patëm fatin me vete. Keqardhja është shumë e madhe, pasi ekipi zhvilloi një ndeshje shumë të mirë. Ishte një nga ato ndeshjet në Kupat e Europës që ekipet shqiptare bëjnë paraqitje dinjitoze.
Por futbollit është i pamëshirshëm. E kemi studiuar sërish kundërshtarin, do ta kërkojmë deri në fund kualifikimin.
Duhet të kemi shumë kujdes, pasi kundërshtari është i rrezikshëm”, tha Ernest Gjoka, trajner i Kukësit.
Në të njëjtën situatë është edhe Teuta që do të luajë në Durrës me Ventspils, ndaj të cilit ka humbur javën e kaluar 3-0 për trajnerin e durrsakëve Bledi Shkëmbi një gol i shpejtë dhe mos pësimi i tij nga ana tjetër do të jenë një ndihmë e madhe për Teutën për të tentuar kualifikimin.
“Patjetër që për të shpresuar kualifikimin në këto kushte duhet të shënosh dhe të mos pësosh. Na duhet një ndeshje perfekte. Një gol i shpejtë do ta na ndihmojë nga ana psikologjike, por do të shtojë akoma më shumë dëshirën dhe bindjen se mund ta përmbysim”, thotë Shkëmbi.
Ndeshja tjetër e Europa League është ajo që do të luhet në Izrael mes Laçit dhe Hapoel Beer Sheva. Sfida e parë e luajtur ka përfunduar me barazimin 1-1, një rezultat ky që në letër favorizon më shumë pikërisht skuadrën e Hapoelit.
Top Channel