Parlamenti Europian zgjodhi Ursula von der Leyen presidenten e re të Komisionit Europian me 383 vota pro, ndërkohë që 327 eurodeputete votuan kundër saj.

Von der Leyen është tashmë e para grua që do të drejtojë Komisionin Europian. Pas votimit politikania gjermane tha se besimi që iu dha ishte një përgjegjësi e madhe dhe se puna e saj fillonte që tani. Në një prej deklaratave të saj më herët Von der Leyen kishte shprehur mbështetjen për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Çelja e bisedimeve me Tiranën dhe Shkupin është rekomanduar nga komisioni i drejtuar prej Jean Claude Juncker si këtë vit, ashtu dhe në 2018-tën, por Këshilli i BE-së zgjodhi ta shtyjë dy herë marrjen e këtij vendimi. Në një letër drejtuar aleancës progresive të socialistëve dhe demokratëve, Von der Leyen deklaronte se Maqedonia e veriut “është një shembull i shkëlqyer arritjesh pozitive” dhe premtoi mbështetje, pavarësisht rezervave të disa liderëve europiane, përfshirë shefin e elizesë, Emmanuel Macron.

Në Francë, në fakt vazhdon të ndihet fryma e kundërshtisë ndaj Bashkimit të ballkanit me BE-në. Ish-ministrja franceze për çështjet Europiane, Nathalie Loiseau, sot eurodeputete, deklaroi se Ballkani “nuk është aspak i gatshëm” për anëtarësim në Bashkimin Europian, teksa blloku nuk është gati sipas saj t`i mirëpresë vendet e rajonit. Duke folur në ditën e dytë të vizitës së presidentit francez Emmanuel Macron në Beograd, Loiseau deklaroi haptazi se nuk e mbështet integrimin direkt, por vetëm një partneritet të ngushtë në nivel ekonomik, në infrastrukturë e madje edhe në rrafshin politik për të shmangur të gjithë tensionet.

“Është e domosdoshme që Europa të bëjë shumë më tepër ndaj vendeve të Ballkanit. Por kjo nuk do të thotë se vendet e Ballkanit mund të anëtarësohen menjёherё në BE. Këto vende nuk janë aspak të gatshme për anëtarësim, dhe ne nuk jemi gati t’i presim”- tha Nathalie Loiseau, eurodeputete.
Ndërsa përmendi raportet ndërmjet BE-së dhe vendeve të Ballkanit, ish-ministrja franceze tha se nga këndvështrimi diplomatik, “ekzistojnë gjëra që BE-ja nuk i ka bërë mjaftueshëm në Balkan, rajon i cili në aspektin gjeografik, historik dhe kulturor është në zemër të Europës”. Presidenti francez Macron është prej kundërshtarëve më të mëdhenj të zgjerimit të Bashkimit Europian. Përpara disa kohësh, ai u shpreh se do të bllokojë çdo përpjekje për zgjerimin e BE-së derisa ajo të kalojë nëpër reforma të thella.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA