Nga Berati, lideri i opozitës Lulzim Basha deklaroi se refuzimi i regjimit të Edi Ramës është një përgjegjësi e madhe për të dhe Partinë Demokratike.

“Dhe kjo u duk më së miri dy javë më parë ku qytetarët e Beratit në masë, të cilëve iu shpreh mirënjohjen nga zemra për qytetarinë e treguar me aktin e tyre, refuzuan regjimin e Edi Ramës, e refuzuan demokratët, mbështetësit tanë dhe socialistët e ndershëm. Pjesëmarrja në Berat ishte nën mesataren kombëtare që do të thotë se edhe në Berat socialistët janë vetëdijësuar se rruga e çlirimit të partisë së tyre nga tutela e krimit kalon nga qëndrimi krahë për krah me qytetarët e tjerë të Beratit, në betejën tonë për vlera, liri e mundësi për çdo qytetar. Unë dhe PD e konsiderojmë këtë refuzim të regjimit të Edi Ramës si një përgjegjësi të madhe për t’i dhënë qytetarëve të Beratit rrugën e ndryshimit, rrugën e transformimit ekonomik”- tha Basha.

Vendi është zhytur në varfëri të plotë deklaroi Basha dhe se 31% e familjeve shqiptare janë në mjerim ekonomik.

“Nga 25%, nga 1 në 4 familje, është rritur edhe me 6%. Mjerimi ekonomik i shqiptarëve, varfëria, papunësia janë veprat e vërteta të një qeverie që nuk ka ardhur me votën e qytetarëve por ka ardhur me ndihmën e kriminelëve e të oligarkëve. Ndaj nuk qeveris për qytetarët por për kriminelët dhe oligarkët. Kanë shkatërruar çdo interes publik, kanë shkatërruar infrastrukturën, shëndetësinë, arsimin. Nuk ka gjë më të trishtë e kriminale se të shohësh dritat e fikura të universitetit të Beratit. Dritat e universitetit do të ndizen në Berat dhe anembanë Shqipërisë. Dritat e arsimit do të ndizen anembanë Shqipërisë”- u shpreh lideri i opozitës.

Top Channel