E famshme për panoramën e saj thuajse hënore, pjesa më e madhe e Islandës, dikur ishte e mbuluar nga pyje të dendura.
Përpjekjet për rikthimin e pyjeve të vendit, janë intensifikuar sot, me qëllim kryesor ndalimin e erozionit të tokës. Shpresohet se fidanët e mbjellë në 6 mijë hektarë tokë, do të rrisin edhe biodiversitetin dhe do të largojnë karbonin nga atmosfera.
“Ky është një nga shembujt më të këqinj të erozionit të tokës në Islandë. Dhe ne po planifikojmë një projekt pyllëzimi për të stabilizuar terrenin dhe për të mbrojtur zonat e banuara përreth”, është shprehur Hreinn Oskarsson.
Pyjet mbulonin pjesën më të madhe të ishullit kur mbërritën vikingët, në shekullin e 9, që i prenë pemët për të hapur vend për shtëpi dhe ferma.
Por që nga vitet 1950, planet për rikthimin e pyjeve, kanë mbetur në letër. Toka dhe moti në Islandë, bëjnë që pyjet të rriten më ngadalë krahasuar me vende të tjera. Por duket se kjo po ndryshon.
“Ajo që ka penguar rritjen e pyjeve kanë qenë temperaturat e ulëta, por tani po shohim ndryshime për shkak të ngrohjes globale”, shtoi Oskarsson.
Qeveria e Islandës e ka bërë rikthimin e pyjeve një prioritet. Ajo shpreson se kjo do të ndihmojë në reduktimin e gazrave që shkaktojnë efektin serë me 40 për qind deri në 2030. Me vetëm 0.5 për qind të ishullit të mbuluar nga pyjet, sidoqoftë, ka ende shumë punë për të bërë.
Top Channel