Punime në Buckingham Palace, udhëtime shtetërore e madje dhe një kurs koktejli; si i shpenzon familja mbretërore e Britanisë paratë publike, është pyetja që shtron shtypi i huaj, dhe përgjigjen e gjen tek raporti i përvitshëm financiar i kësaj familjeje ku pasqyrohen me hollësi shpenzimet e shtëpisë Windsor.
Nga prilli i vitit të kaluar, deri në mars të këtij viti, pjesëtarët e familjes mbretërore kanë përfituar në total 92,2 milionë euro.
Botimi francez i “Business Insider” i ka marrë në analizë shpenzimet kryesore. Në vend të parë, ai renditi fondet e kaluara për rinovimin e Buckhingam Palace dhe disa pronave familjare.
37,2 milionë euro janë përdorur për këtë qëllim. 2,6 milionë euro kushtoi vetëm ristrukturimi i Frogmore Cottage ku u transferuan në muajin mars, Meghan Markle dhe Princi Harry.
Përgjatë kësaj periudhe kohe, familja Windosr ka shpenzuar 26,2 milionë euro për të paguar rrogat e njerëzve që punojnë për ta, të cilët janë plot 276 burra dhe 279 gra.
Por ndërkohë, Mbretëresha dhe pjesëtarët e tjerë kanë pasur një numër të madh angazhimesh zyrtare gjatë vitit, të cilat vijnë edhe ato me një kosto aspak të vogël: gati 17 milionë euro.
Lidhur me këtë temë gazeta “Daily Express” ka realizuar një sondazh, sipas të cilit shumica e të intervistuarve mendojnë se pjesëtarët e familjes mbretërore britanike janë duke shpenzuar më shumë se ç`duhet nga paratë e taksapaguesve.
Top Channel