Opozita ka publikuar fakte të cilat sipas saj tregojnë se koncesioni i pompave në stacionet e karburanteve është dhënë në kundërshtim me ligjin.

Deputeti demokrat Agron Shehaj publikoi nga selia e PD-së vendimin e gjykatës administrative, e cila i urdhëron ministrinë e financave të ndryshojë kriteret e tenderit dhe të hapë garën nga e para.

Shehaj e cilësoi koncesionin si një akt korruptiv me fitues të paracaktuar.

Aktualisht shërbimi I kontrollit të pompave kryhet nga drejtoria e metrologjisë. Por me kalimin tek privati, sipas Shehajt buxheti dhe qytetarët do të humbasin rreth 100 milionë euro.

Por pas akuzave të opozitës reagoi edhe qeveria. Përmes një njoftimi zyrtar ministria e financave deklaroi se tenderi për koncesionin është kryer në përputhje me ligjin dhe vendimi i gjykatës administrative nuk është I formës së prerë.

Sipas financave ky koncesion do të përmirësojë shërbimin për qytetarët pa rritur kostot.

Top Channel