Insekticidi që kontaminon mjaltin/Bletërritësit përdorin amitraz. Ekspertët: I rrezikshëm për njeriun

16/07/2019 14:26

Varraotoza është një nga sëmundjet parazitare më të rrezikshme të bletëve. Ajo paraziton tek bletët e rritura duke thithur hemolimfën e trupit të tyre, gjë e cila shkakton vdekjen e bletës.

Bletërritësit shqiptarë për të shpëtuar bletët nga kjo sëmundje përdorin një insekticid që e ka emrin amitraz. Ky insekticid  përdoret për lopët, delet, dhitë, derrat  por jo për bletët. Se çfarë është amitrazi këtë do të na e thotë bletërritësi Engjëllush Spaho.

” Ke tik-tak për bletët?”, e pyet gazetarja e Top Channel, Rudina Muça, shitësin me kamera të fshehtë.

“ Tik-tak?!  Për çfarë e doni?”, e pyet shitësi.

“Për bletët pasi kanë zënë varratozë, morra”, i përgjigjet gazetarja.

“Po kemi, por kujdes se është i ndaluar!. 5 mijë lek bën “, thotë shitësi.

Bletërritësi Engjëllush Spaho ka dhënë informacione rreth rrezikshmërisë së amitrazit, i cili thotë se është i rrezikshëm.

“Ky insekticid nuk është i rekomanduar për tu përdorur tek bletët. Ai përdoret tek kafshët e ndryshme për të rrëzuar rriqrat, por jo tek bletët sepse ajo ka një organizëm të vogël dhe nuk e përballon dot atë ngarkesë kimikatesh. Këto përmbajte kimike gjatë përdorimit tek bletët transferohen tek hojet dhe ndotin mjedisin ku rritet dhe zhvillohet bleta. Këto sjellin dëme tek bletët, mbetjet e kimikateve më pas kalojnë edhe në mjaltë “, rrëfen bletërritësi.

Ky mjaltë nëse do të kontaminohet nga mbetjet e kimikateve të amitrazit rrezikon shëndetin e konsumatorëve dhe shkatërron bletët. Siç ka thënë edhe Einstein nëse bletët do të zhdukeshin nga sipërfaqja e dheut ne nuk do të jetonim më shumë se katër vjet.

 

Top Channel