Festa e Brumit që u mbajt në edicionin e saj të dytë në Gjirokastër shtroi tryezat me petulla, petë, pite, mumuliga, kulaç, bobollaqe dhe shumë receta të harruara që u prezantuan nga shefat e ftuar nga disa rajone të vendit.
Eventi u kombinua me ritet e kënduara të brumit, enët qindravjeçare të zënies së brumit.
Amvisat e Gjirokastrës thanë se çdo përpjekje për ta modernizuar recetën e largon atë nga tradita.
Të ftuar në festë ishin grupi folklorik i Janinës që solli në festë shije brumi të Veriut të Greqisë.
” Provuam shumë shije të shkëlqyera këtu dhe sollëm bukën e ëmbëlsirat tona sepse popujt tanë e kanë shkëmbyer traditën gjithë jetën. Shijet janë shumë të ngjashme dhe muzika është një gjuhë universale”, tha një zonjë greke, që mori pjesë në këtë event.
Pjesë e festës së brumit u bënë edhe traditat qindravjeçare të bukës së dasmës, kulaçit të lindjeve shoqëruar me ritet lokale dhe gëzimit për produktin kryesor të jetës. Visaret e Kërrabës sollën në festë traditën e hapjes së petës shoqëruar me kostumin 200 vjeçar të gruas që realizoi ritin.
Grupi i Dumresë solli në festë traditën e bukës dhe ëmbëlsirave.
Niko Kotherja studiues tha se ngjarja i shërben njohjes së traditave të humbura dhe listimit të trashëgimisë jomateriale.
Profesionistët e brumit ranë dakord se një listë recetash historike duhen njohur zyrtarisht, regjistruar dhe mbrojtur për tu përcjellë më tej me origjinalitet
Top Channel