Fiks Fare denoncoi veprimet e Policisë Rrugore të Kavajës, të cilat i kanë bllokuar makinën një shitësi ambulant, që shiste kumbulla në këmbë në rrethrrotullimin e Rrogozhinës.

Afrim Rrethi thotë se prej 20 vitesh shet kumbulla dhe misra te “Bishti Zhurit”. “E di që jemi në të zezë, po ku të shkojmë. Kemi 1 mijë halle. Gruan sëmurë, dy fëmijë. Vetë pa punë. Me këtë punë mbajmë familjen. Kam shkuar te bashkia dhe s’kanë punë. Puno më thonë.

Vetëm mbaj familjen. Disa ditë më parë na erdhi policia. Unë kisha disa qese me kumbulla në dorë dhe më thanë mos shit këtu se është burim aksidentesh. Dakord i thashë, po dal pak më tutje. Çfarë të bëj? Ku të shkoj?! Më tha polici ik shko merr makinën dhe futi kumbullat në makinë. Makinën e kisha nja 200 metra larg, të parkuar afër një magazine. Për mos t’i kundërshtuar, shkova e mora dhe ngarkova kumbullat.

Kur i ngarkova më thanë t’i ndiqja për në komisariat se do të bllokojmë makinën. Shkova me ata dhe më thanë se makina është bllokuar për 60 ditë. Tani do të paguaj 5 mijë lekë të vjetra në ditë parkim. Unë 2 mijë nxirrja në ditë, nga t’i gjej? Makinën e kam marrë me kredi. Do të bëja ndonjë tregti të vogël me kumbulla në verë dhe misra në dimër” thotë Afrimi.

Më tej shton se Policia Rrugore e Kavajës i thotë se do të dalësh në komision në Tiranë. “Unë s’kam bërë asnjë shkelje, makina ka qenë e parkuar, nuk shes me makinë. Shefit të Policisë Rrugore të Kavajës, Edi Veliut, i thashë përse ma bllokove. Më tha se kështu doja unë” pohon qytetari. Pas ankesës, Afrimi shkon të takojë shefin Edi Veliu në Policinë e Kavajës.

Ai i tregon hallet dhe problemet dhe i thotë përse ia bllokoi makinën, kur makina ka qenë e parkuar dhjetëra metra më larg. Shefi i thotë se makinën ia bllokoi se është bërë pengesë në rrethrrotullim. Qytetari i kërkon shpjegim dhe i thotë se në rrethrrotullim ka qenë në këmbë, nuk ka qenë me makinë. Shefi i përgjigjet se nuk ia zgjidh ai problemet dhe tani çështja ka kaluar në komision në Tiranë. “Ik zgjidhe atje. Mos ta zhbllokojnë ata” i thotë shefi.

Qytetari këmbëngul se përse i është bllokuar se ka edhe mall brenda dhe makinën e ka marrë me kredi. Shefi i thotë se, “boll të dëgjova, dil jashtë”. Pasi qytetari kërkon arsyen, shefi ngrihet nga tavolina dhe i drejtohet qytetarit duke i thënë “mos të kap me duar e të nxjerr nga zyra”.
Disa ditë më vonë, qytetari del para komisionit në Tiranë, ku tre anëtarët ia lënë në fuqi gjobën dhe bllokimin e automjetit. Afrimi duhet të paguajë 70 mijë lekë të vjetra gjobë dhe dy muaj makinën e bllokuar.

Për çdo ditë/natë në pikën e bllokimit, ai duhet të paguajë 5 mijë lekë. Pra, në total, për shitjen e kumbullave te “Bishti i Zhurit”, Afrimi duhet të paguajë 370 mijë lekë të vjetra.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA